Meta dekreton 13 tetorin si datë të re zgjedhjesh

schedule14:40 - 27 Qershor, 2019

schedule 14:40 - 27 Qershor, 2019

Ishte ende pa u zbardhur mirë kur hyri në presidencë për të marrë një vendim të ri mbi fatin e zgjedhjeve.

Shpresonte se do ta niste ditën me një takim me kryeministrin pavarësisht refuzimit të këtij të fundit. Por ishte kryedemokrati Lulzim Basha që e tha i pari fjalën e tij mbi datën e re të zgjedhjeve e zgjidhjen e krizës politike.

Dyert e presidencës qëndruan të hapura për takime me partitë e grupimit të qendrës së djathtë, por edhe me partitë e tjera që iu përgjigjën pozitivisht ftesës për tu konsultuar.

Në 14 e 30 presidenti Ilir Meta komunikoi atë që pritej prej orës 5 të mëngjesit.

“Dekreti për datën e re të zgjedhjeve, që është data 13 tetor”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama.

“A ju thashë prisni çmendurinë e dytë? Tani thjesht mëshirojeni. Data e nxjerrë nga filxhani i revolucionit imagjinar është një NULLUM ABSOLUTUM dhe QUOD NULLUM EST NULLUM PRODUCIT EFFECTUM. 30 QERSHORI ESHTE E VETMJA DATE ZGJEDHJESH”, shkruan Rama.

Por presidenti nuk i ka humbur shpresat.

Axhenda ime nuk është as axhenda e doktorit, sepse unë nuk i them dot Saliu, e dini që e kam pikë të dobët, as axhenda e Lulit dhe e Monës. Axhenda me kryeministrin nuk është “Rama ik”, por “Rama reflekto”

“Ju kujtoni që unë jam aq i pashpresë sa ai nuk do të reflektojë?”

Në arsyetimin e këtij vendimi Presidenti Ilir Meta nënvizoi se e zgjodhi këtë datë jo vetëm që zgjedhjet të jenë gjithëpërfshirëse por edhe për të treguar se do të ketë proces me standarte që do të ndikojnë në vendimin e Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave që pritet të merret në 17 dhe 18 tetor 2019. Prandaj thotë se ndihet i qetë përballë çdo gjykate.

“E kam marrë përgjegjësinë time, jam i gatshëm që të përgjigjem për këtë akt përpara çdo gjykate, brenda dhe jashtë vendit që ka juridiksionin ta gjykojë…deri në Hagë po të duan”. 

Një takim mesditën e së enjtes kryetari i shtetit e ka zhvilluar me përfaqësuesit e selive më të rëndësishme diplomatike në vend, ku u vu re mungesa e aleatit strategjik të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nuk tha as po e as jo nëse ka marrë garancinë nga Kryetari i Partisë Demokratike se do të hyjë në zgjedhjet e 13 tetorit. Mesazhi i tij është që edhe opozita të bëjë reflektimin e saj.

“Duhet t’ju siguroj se nuk mund të detyroj askënd të marrë pjesë në mënyrë të pavullnetshme në zgjedhje, askënd. Detyra ime si President i Republikës dhe si i vetmi institucion në kushtetutën e vendit është të jap mundësinë të gjithëve të reflektojnë, të bëhen pjesë e procesit, të heqin dorë nga axhendat e ngushta maksimaliste dhe duke qenë se është objektiv kombëtar i gjithë forcave politike anëtarësimi në BE të sillemi në mënyrë evropiane, në këto orë, ditë dhe pak muaj që kanë mbetur”.

3 ditë nga 30 qershori , mazhoranca e partitë e tjera në garë janë bërë gati, edhe infrastruktura zgjedhore gjithashtu. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon rutinën e mbledhjeve për të përcaktuar Komisionet Zonalë të Administrimit Zgjedhorë e qendrat e votimit. OSBE/ODIHR po bën përgatitjet e fundit për misionin e vëzhguesve. Kolegji zgjedhor nuk e njeh dekretin e Presidentit duke mos lejuar çregjistrimin e partive nga gara.

Të gjitha këto janë tregues se në do të shkohet në zgjedhje ditën e fundit të qershorit.

Gjithçka mbetet janë pikëpyetjet nëse data 13 tetor do të qëndrojë në fuqi apo do të ketë fatin e dekretit të anulimit të zgjedhjeve./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!