Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Mësuesja pensioniste/ Tre dekada me nxënësit, nostalgji për kujtimet e bukura në shkollë

schedule13:46 - 20 Shtator, 2025

schedule 13:46 - 20 Shtator, 2025

Rrudhat në ballë janë të pashmangshme, por, të mos i kemi ata në zemër. Për disa është fat të arrihet mosha e pleqërisë, e për të tjerë shihet si peshë mbi supe. Ish-mësuesja Razie Stafa, që shumë e njohin si nëna që shiste fruta në rrugët e kryeqytetit, sot jeton e vetme.

Mes plagës së emigracionit, dhe ndërgjegjes për të mos iu bërë barrë fëmijëve, ajo ka zgjedhur ta kaloj vetëm periudhën më të vështirë të jetës, atë  të pleqërisë.

“Jetoj vetëm, tek ata shtëpitë 40 vjeçare, nuk janë shumë të banueshme. Punoja duke shit nëpër rrugët e Tiranës, andej nga liqeni… tani nuk dal dot se nuk jam në gjendje, vetëm ça bëj ata punë shtëpie. Fëmijët kanë tjetër mentalitet, sado që të jesh me shkollë, prapë është tjetër koncept  për jetën”, nënvizoi ajo.



Mësuese Razia është nënë e dy vajzave, të cilat i dhanë edhe statusin më të ëmbël të jetës, atë të gjyshes. Ndërsa sytë e mbushur me lot, e tradhtojnë kur flet për të shkuarën. Një jetë mes varfërisë e sakrificave për të rritur fëmijët, pasi problemet bashkëshortore i sollën divorcin.

“Kam dy vajza, një nip dhe një mbesë. Jam e divorcuar. Ishte njeri i keq shumë. Më thanë fëmijët o me ne, o me atë. Vështirë t’a ndaja nga mentaliteti. Ishim në varfëri. Njëra vajzë jeton këtu, tjetra iku jashtë. Ajo që është jashtë ka pësuar edhe një aksident andej, e ka lënë me pasoja shumë”, u shpreh ajo,

Mes jetës së mundimshme dhe lumit të përjetimeve, mësuese Razia, paqen shpirtërore e gjen aty, kur tregon për kohën që jepte mësim në lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Për rreth 3 dekada, ajo shërbeu në edukimin e shumë brezave të rinj, duke ecur në këmbë deri në 4 orë në ditë, por nostalgjia për atë kohë, e zbeh lodhjen.

“Unë kam punuar në arsim, kam dhënë Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. E kam nis me klasa kolektive, e kam nis që herët. 16 vjeç. 26-27 vite në arsim, kam dhënë në klasa kolektive. Në shkollë 8 vjeçare dhe më pas në të mesmen.  Dy orë me shku dy orë me ardh. Kushtet e vështira, na doli njëherë një ujkë madh, gjarpërinjë. Vetëm një dhomë aty, shkollë mozerje.”, tregon ajo.

Nxënësit ishin kthyer në fëmijët e saj, ndërsa, me mall mësuesja na tregon edhe më të preferuarit.

“Fëmijët i kam dashur shumë, i trajtoja si të mitë. I merrja nga viti parë në të 4, më donin shumë se e shihnin që punoja me pasion. Klasa e 4 C, kishte djem e vajza të mrekullueshme…”

Për vitet e shumta kushtuar arsimit, për mësuese Razien nuk mund të mungonte krahasimi i brezave.  Sipas saj të rinjtë po rriten dembelë, ndërsa mësuesit po humbin autoritetin ndaj nxënësve, ndaj e keqardhur mesazhi shkon për më shumë vëmendje ndaj rrugës së dijes.

“Nxënësit e kanë mendjen të kopjojnë te celularët, ndërsa mësuesit si japin rëndësinë e duhur, edhe pse rrogat u janë rritur…”, thotë ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!