Barcelona arriti dje të fitojë një ndeshje shumë të rëndësishme me shifrat 3-2 ndaj një ekipi të vështirë si Athletic Bilbao. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri Ronald Koeman. Holandezi u shpreh se është shumë i lumtur pas kësaj ndeshje dhe se skuadra e tij e dominoi pjesën më të madhe të betejës.
“Jam shumë i lumtur. Pavarësisht se pësuam gol shpejt, ne gjithmonë ishim shumë të përfshirë në lojë. Në golin e parë u kapëm të paorganizuar, por pas golit, patëm një lojë të shkëlqyer. Leo kishte fat të keq sepse mund të shënonte edhe disa herë të tjera, goditi dy herë shtyllën. Kemi pasur kontrollin e ndeshjesh në pjesën më të madhe të saj.
Ishte një lojë e shkëlqyer. Ka gjëra për të përmirësuar, si goli i parë në organizimin mbrojtës. Por ne kemi shënuar gola shumë të shkëlqyer me shumë klas. Është e rëndësishme të kesh lojtarë të mirë në mesfushë sepse aty dominohet loja. Me De Jong, Busquets, Messi dhe Pedri kishim gjithmonë diçka që bënte diferencën.
Messi nga dita e parë ka dhënë maksimumin. Ka qenë në nivele të larta për shumë vite. Tani duket se është përmirësuar gjithashtu edhe në efektivitet. Jemi në garë për La Liga sepse sezoni është shumë i gjatë. Mund të ketë dëmtime, ulje dhe ngritje. Ka shumë konkurrencë në këtë ligë. Ekipet e mëdha gjithashtu kanë një kalendar shumë të ngjeshur. Është shumë e vështirë të mbash nivelin gjatë gjithë sezonit.
Ne kemi punuar mirë dhe seriozisht për një kohë të gjatë. Kemi merituar më shumë pikë në ndeshjet e tjera. Është e qartë se fitoret na bëjnë të rritemi në vetëbesim. Dembele është mirë fizikisht, por ai duhet të mësojë të luajë dy ose tre ndeshje radhazi. Na jep shumë shpejtësi dhe thellësi me lojën e tij”, u shpreh Koeman. /abcnews.al