Mesi në Bruksel: Shqipëria ka shënuar progres

schedule16:50 - 21 Nëntor, 2018

schedule 16:50 - 21 Nëntor, 2018

Zv/kryeministrja, Senida Mesi, në Bruksel tha se Shqipëria ka arritur progres sa i përket kritereve kyçe të vendosura nga BE. Ajo theksoi për ABC News se procesi i negociatave është marrë shumë seriozisht.

Administrata publike në Shqipëri ka shënuar progres lidhur me kriteret kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian, që kanë të bëjnë me depolitizimin, profesionalizmin dhe ofrimin e shërbime më të mira ndaj qytetarëve shqiptarë. Këto janë shtyllat kryesore të prezantuara nga zv/kryeministrja Senida Mesi në Bruksel gjatë një konference të organizuar në kuadrin e bashkëpunimit rajonal të vendeve të Ballkanit dhe shkollës rajonale për administratën publike RESPA.

Senida Mesi, Zv/kryeministre: “Sigurisht që lidhur me depolitizimit, ne kemi përmirësuar shumë procedurat e rekrutimit. Ne kemi një ligj që tashmë përkufizon qartë të gjitha detyrimet dhe procedurat e selektimit të administratës publike. Nuk limitohemi me kaq. Shumë e rëndësishme është që punonjësit e administratës të trajtohen, në mënyrë që ata të jenë profesionistë. Dhe nga ana tjetër është po aq e rëndësishme mënyra se si ne i ofrojmë shërbimet: në kohën e duhur, me rritjen e aksesit dhe sa më shumë shërbime online, me qëllim që të shkëpusim një herë e mirë edhe ato lidhje të vogla të korrupsionit, në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimin në kohën e duhur dhe me cilësinë e duhur”.

Zv/kryeministrja Mesi është shprehur për ABC News, se shqetësimi kryesor i Bashkimit Europian lidhur me ruajtjen e stafit që do mbajë barrën administrative të procesit të negociatave po trajtohet me seriozitet nga Shqipëria për të siguruar vijueshmërinë e procesit të negociatave në lartësinë e duhur dhe me të njëjtin staf.

Senida Mesi, Zv/kryeministre: “Administrata jonë ka sfida përpara dhe duhet t’i adresojmë në mënyrë që kur të jemi gati, të kemi infrastrukturën e duhur, njerëzit në vendin e duhur dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian, me qëllim që ky staf që angazohet sot në prcesin e përputhshmërisë së legjislacionit europian (screening), të jetë po ai staf që të vazhdojë më tutje procesin e integrimit. Eshtë në interesin e BE-së dhe të Shqipërisë stabilizimi i këtij ekipi”.

Progresi në reformën e administratës publike është një nga 5 kirteret kyçe të Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të sigurojë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian në Qershor të 2019-s./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!