I papërballueshëm dhe i paekuilibruar: Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka kundërshtuar propozimin aktual të buxhetit afatgjatë të Bashkimit Europian për periudhën 2028–2034, dhe qëndrimin e tij e mbështet edhe Holanda, një tjetër kontribuuese e rëndësishme neto në buxhetin e BE-së.
Komisioni Europian ka paraqitur një plan buxhetor që kap vlerën mbi 1.6 trilionë euro për shtatë vitet e ardhshme. Ky plan fokusohet në tre fusha kryesore: bujqësinë dhe zhvillimin rajonal, forcimin e konkurrueshmërisë ekonomike, si dhe politikat e jashtme e të sigurisë.
Por për Merz, projekt-buxheti nuk mund të pranohet në formën e tij aktuale.
“Ajo çfarë është propozuar deri tani nuk është e realizueshme. Nuk mund të përballohet. Megjithatë, negociatat për buxhetin duhet të përparojnë më shpejt. Dua që të arrijmë një vendim këtë vit”, tha Merz.
Ky koment i tij theksoi mosmarrëveshjet brenda 27 vendeve anëtare lidhur me planin shtatëvjeçar të financimit. Gjermania është kontribuuesja më e madhe neto në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, edhe disa vende të tjera anëtare synojnë përfundimin e negociatave deri në fund të vitit, megjithëse ky afat shihet si mjaft optimist. Irlanda, që po merr presidencën e Këshillit të BE-së, pritet të paraqesë një version të ri kompromisi.



