Merret në pyetje Fredi Alizoti

schedule13:30 - 11 Tetor, 2018

schedule 13:30 - 11 Tetor, 2018

Fredi Alizoti, i dyshuari si aktrues i zërit të Agron Xhafajt, në audio-përgjimin e pretenduar mes tij dhe Albert Veliut, u thirr të enjten tek Krimet e Rënda ku u mor në pyetje për gati 3 orë. Burime të rezervuara konfirmuan për “ABC News” se Alizoti ka dhënë shpjegime të hollësishme për videon e publikuar dy ditë më parë në programin “Opinion”, ku ai pohonte se ishte transportuar në Tiranë nga kreu i Policisë së Shtetit dhe se ishte takuar nga një deputet. Para prokurorëve të çështjes ai ka sqaruar se biseda  e shfaqur në video-përgjim është zhvilluar në një bar pranë selisë së Partisë Demokratike. Alizoti ka pohuar për prokurorin edhe identitetin e bashkëbiseduesit, si edhe kohën kur është bërë kjo bisedë. Nga ana tjetër, Alizoti ankimoi masën e sigurisë “arrest në burg” dhënë për të nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda. Përmes avokatit të tij Ilir Dode Alizoti ka depozituar një kërkesë në Apel ku kërkon ndryshimin e kësaj mase dhe caktimin e një mase më të butë.

Ndërkohë më herët gjatë ditës së sotme avokati mbrojtës i Alizotit ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë për klientin e tij, i cili vetëm pak ditë më parë u la nga Gjykata e Krimeve të Rënda nën masën e sigurisë burg pa afat, pavarësisht se ia ka deklaruar me vullnet të lirë se ka aktuar në rolin e Agron Xhafës në videon e bërë sëbashku me Albert Veliun, të shpallur tashmë në kërkim.

Avokati: “Nuk kërkojmë lirimin, por caktimin e një mase më të lehtë sigurimi personal. Kriteret janë ato që thashë seancën e kaluar që Gjykata e Shkallës së Parë nuk i mori parasysh dhe që shpresojmë që Gjykata e Apelit t’i marrë parasysh”.

Pyetje: Ju keni komunikuar me klientin pas shfaqjes së një videoje të dytë dhe cili është versioni i tij paraprak mes një avokati dhe klienti?

Avokati: Kjo mbetet në kuadër të hetimit siç e thashë është sekret hetimor.

Pyetje: Klienti juaj do të pyetet për të dyja videot apo për më të fundit.

Avokati: Klienti im do të pyetet për të gjithë ngjarjen, nga fillimi deri në fund. Do të thotë të vërtetat e tij dhe do hetohet për të dalë e vërteta. Klienti im ka bërë disa deklarata, do bëjë deklarata të tjera, do thojë të gjithë të vërtetën e tij në funksion të drejtësisë.

Pyetje: Cila është e vërteta e Alizotit?

Avokati: Këtë do ta marrim vesh shumë shpejt.

Pyetje: Ju nuk keni informacion për këtë ngjarje?

Avokati: Unë kam informacion, por siç thashë është në kuadër të hetimit sekretit hetimor dhe dëmton hetimin nëse kemi shprehje paraprake të personave nën hetim.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!