Merren në pyetje familjarët dhe kolegët e gardistit të vetëvrarë

schedule15:17 - 2 Korrik, 2018

schedule 15:17 - 2 Korrik, 2018

2 ditë pas vetëvrasjes së Shkëlzen Qordjas, grupi hetimir ka marrë në pyetje familjarët e të ndjerit, por edhe personelin e Gardës së Republikës, ku punonte prej Marsit të 2017-s. Sipas dëshmive të kolegëve të 31-vjeçarit, në momentin që i riu vrau veten nuk u dëgjuan të shtëna.

Pas vetëvrasjes të kryer në ambientet e Gardës së Republikës të Shkëlzen Qordjas, grupi hetimor mori në pyetje familjarët e të ndjerit. Ata u shprehën se nuk kanë patur dijeni nëse Qordja ka pasur konflikte me persona të tjerë e po kështu sipas familjarëve, 31-vjeçari ishte njeri i mbyllur.

“E kemi parë ditët e fundit, por nuk kemi vënë re ndonjë shqetësim tek ai. Nuk mund të kemi një shpjegim pse ndodhi”, theksuan familjarët.

Ish-shoferi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i dha fund jetës në rrethana misterioze, duke qëlluar veten më armën e shërbimit ditën e shtunë. Sipas dëshmive të shokëve të ngushtë të Shkëlzen Qordjas, ai kishte festuar ditën që ndodhi krimi, deri në orën 6 të mëngjesit. Pas disa orësh, i riu u gjet i pajetë me një plumb në kokë brenda automjetit të tij në garazhin e Gardës së Republikës të mbyllur nga brenda.

Pavarësisht se grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së ambienteve të Gardës, përsëri në vendin, ku 31-vjeçari kreu vetëvrasjen nuk ka kamera sigurie. Sipas dëshmive të efektivëve të gardës që ishin në detyrë mesditën e 30 Qershorit, ata nuk kishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, gjë që do të përcaktonte saktë edhe momentin e kryerjes së aktit nga i riu.

Vetëvrasjen e Shkëlzen Qordjas e konfirmon edhe ekspertiza mjeko-ligjore. Ai u vetëqëllua në pjesën e djathtë të kokës dhe plumbi i ka shkaktuar dëmtime të shumta në kokë, ndërsa në automjet u gjendën tre gëzhoja. Prokuroria ka sekuestruar edhe telefonin e Shkëlzen Qordjas për të zbuluar komunikimet e fundit që 31-vjeçari kishte pasur pak çaste se të vriste veten./abcnews.al