Merkel reagon pas dridhjeve: Jam mirë, do vazhdoj axhendën time

schedule23:59 - 10 Korrik, 2019

schedule 23:59 - 10 Korrik, 2019

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se ndihet shumë mirë dhe se nuk ka nevojë për shqetësim, pasi u pa të dridhej për të tretën herë rresht brenda një muaji.

Ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë deklaroi se kancelarja do të vijojë takimet e parashikuara në axhendën e saj, pavarësisht asaj që ndodhi. Të mërkurën Merkel u pa të shtrëngonte duart në përpjekje për të kontrolluar të dridhurat teksa qëndronte përkrah kryeministrit të Finlandës, Anti Rine.

Sipas gazetës “Fokus”, dridhjet prekën tërë trupin e saj dhe zgjatën mbi një minutë. Por në një konferencë për shtyp të mbajtur të mërkurën, Merkel tha se po punon për ta tejkaluar problemin që u shfaq për herë të parë kur takoi presidentin ukrainas.

Ky proces nuk ka mbaruar dhe më duhet të jetoj me të për njëfarë kohe. Megjithatë jam shumë mirë dhe askush nuk duhet të shqetësohet për mua”, deklaroi Merkel.

Zëdhënësja e Merkel, Ulrike Demer u pyet nga mediat gjermane përse qeveria nuk ka ofruar informacion mbi gjendjen shëndetësore të saj, por Demer u përgjigj duke thënë se nuk kishte asgjë për të shtuar./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!