Merkato, Elom Nya-Vedji dhe Numan Kurdic çështje te Vllaznia e Kukësi

schedule09:54 - 25 Janar, 2021

schedule 09:54 - 25 Janar, 2021

Elom Nya-Vedji dhe Numan Kurdic janë dy emrat që po mbajnë peng Vllazninë dhe Kukësin. Futbollisti nga Togo ka dalë në stërvitje me shkodranët dhe pritet që të zyrtarizohet pjesë e kuqebluve, por duhet pritur të zgjidhet një problem në lidhje me taksën e formimit.

Anësori i krahut të djathtë ka mbushur 23 vjeç në nëntor dhe te Vllaznia nuk duan të gabojnë dhe më pas të përballjen me procese gjyqësore me klubin malazez të Zeta. Në këto kushte ata presin sot një “OK” nga juristët dhe pasi ta marrin kontrata do t’i depozitohet në FSHF, për ta bërë zyrtarisht Elom Nya-Vedji pjesë të Vllaznisë.

Lojtari nga Togo ka spikatur te Zeta në Mal të Zi. Pjesën e parë të këtij sezoni ai ka luajtur në 16 ndeshje (11 titullar) dhe ka shënuar katër gola. Për herë të parë në Europë i është bashkuar skuadrës së Rudar (17 ndeshje, 3 gola) dhe tani po bëhet gati për një eksperiencë të re në Superiore.

 

MBROJTËS I KUKËSIT – Numan Kurdic prej disa kohësh është vënë nën urdhrat e trajnerit Rraman Hallaçi te Kukësi, siç edhe abcnews.al ka raportuar. Zyrtarizimi i tij nuk ka ardhur për shkak se ai mund të kthehet nga huazimi te Sarajevo vetëm më 2 shkurt, kur edhe hapet merkato në Bosnje Hercegovinë.

Nëse ndodh kështu ai nuk mund të regjistrohet me Kukësin. Menaxherët e lojtarit po bëjnë përpjekjet maksimale që lojtari të shkëputet përfundimisht nga Sarajevo, klub që kishte rënë dakord ta jepte në huazim te Kukësi.

Kampionët e Bosnjës kishin bërë të njëjtën gjë në gjashtë muajt e pjesës së parë të sezonit, kur Kurdic luajti me Novi Pazar në Superligën serbe. 16 ndeshje në kampionat dhe një në kupë numëron qendërmbrojtësi dhe tani shpreson që gjithçka të zgjidhet dhe të firmosë me Kukësin. /abcnews.al