Bylisi ka nisur merkaton. Ballshiotët kanë bërë tre zyrtarizime dhe dy prej tyre vjet ishin pjesë e Luftëtarit të rënë nga kategoria. Sezonin e ardhshëm, pjesë e skuadrës së drejtuar nga Veljko Dovedan do të jenë mbrojtësi Armenis Kukaj dhe sulmuesi Arbër Mehmetllari.
Shkodrani luan në qendër të prapavijës. Sa i takon Mehmetllarit, transferimi i tij është bërë pas një marrëveshje me kroatët e Lokomotiva Zagreb, që zotërojnë kartonin e tij. Sulmuesi do të ketë mundësinë të luajë edhe sivjet në Superiore, pas eksperiencës së vjetshme në Gjirokastër.
Në Ballsh kanë bërë edhe një tjetër afrim, në repartin e mesfushës. 18-vjeçari Xhoeli Maçolli ka nënshkruar me Bylisin. Vjet ai ka zhvilluar ndeshjet e parë si profesionist me Pogradecin, duke zbritur në fushën e blertë në tre takime dhe tani do të provojë Superioren.
VLLAZNIA – Edhe në Shkodër po lëvizin dhe po tentojnë të afrojnë lojtarë për çdo repart. Sigurisht të rinjtë vijojnë të mbeten në fokusin e tyre dhe dy shkodranë janë rikthyer në ekip.
Njëri është qendërmbrojtësi Enes Isufi, i cili kishte provuar një eksperiencë te Skënderbeu e Luftëtari. Ai rikthehet në Shkodër, në ekipin ku u formua. E njëjta gjë dhe me Brendon Smajlin, mbrojtësin e majtë që ishte vjet te Shënkolli dhe Veleçiku, duke u aktivizuar në 18 ndeshje në Kategorinë e Parë. /abcnews.al