TIRANË- Fenomeni i korrupsionit në Shqipëri po luftohet me çdo mjet dhe për herë të parë në këto përmasa, që prej shpalljes së pavarësisë në 1912.
Kështu u shpreh kryeministri Ed Rama, gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.
Ai theksoi se për herë të parë njerëz që kanë pasur pushtet politik po shkojnë dhe po japin llogari para sistemit të drejtësisë.
Rama shtoi se kushdo që thotë se kjo nuk është arritje e tij dhe e Partisë Socialiste, thjesht nuk thotë të vërtetën.
“Korrupsioni në Shqipëri po luftohet më shumë seç është luftuar ndonjë herë tjetër. Për herë të parë, po ndodh, që njerëz të lidhur me pushteti politik po thirren nga prokurorë dhe gjykatës të pavarura nga pushteti politik, për herë të parë, kush thotë se kjo s’ka lidhje me mua dhe PS, nuk thotë të vërtetën, jemi unë dhe PS që e kemi sjellë këtë risi historike në jetën shqiptare, që nga 1912. Ky është kulmi i vullnetit për të luftuar korrupsionin”, tha ai./abcnews.al