Shqipëria dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në parim për të hapur për herë të parë konsullata në Luginë të Preshevës për shqiptarët dhe në Shkodër për minoritetin serb.
Marrëveshja u zbulua fillimisht nga ministri i jashtëm i Serbisë, ndërsa kryediplomati i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka sqaruar se pakti është në frymën e reciprocitetit, kurse pala shqiptare ka synim të vetëm shqiptarët në Preshevë.
“Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar, në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të krijojë mundësi më të mira për të qenë më pranë qytetarëve shqiptarë atje, për t’i mbështetur ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e interesave të tyre legjitime.”
Në vazhdën e akuzave kryesisht nga opozita në Shqipëri, ministri i jashtëm, Ferit Hoxha shton se Shqipëria merr këto vendime bazuar tek interesi kombëtar dhe standardi europian.
“Politika jonë e jashtme nuk ndërtohet mbi emocione apo perceptime, por mbi interesin kombëtar, respektimin e normave dhe praktikave të së drejtës ndërkombëtare, si dhe mbi frymën dhe vlerat evropiane. Ky është standardi ynë sot, por edhe standardi që Shqipëria synon të mbajë si vendi i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian. Ne jemi të vendosur ta përfaqësojmë këtë qasje në çdo vendimmarrje të politikës sonë të jashtme.”
Në Shqipëri, serbët janë njohur si minoritet ndonëse pakica e tyre sipas censit të fundit përbëhet nga vetëm 584 shtetas të deklaruar si serbë. Kurse në Luginën e Preshevës, që përfshin 3 komunat Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, sipas regjistrit të Serbisë jetojnë rreth 61 mijë shqiptarë, kurse autoritetet lokale të drejtuara nga shqiptarët aty pretendojnë këto shifra manipulohen nga Beogradi Zyrtar dhe se realisht janë rreth 123 mijë shqiptarë.


