Mema: Arbitri na uli ritmin, ka diçka që duhet ta ndreqim!

schedule21:17 - 21 Shtator, 2019

schedule 21:17 - 21 Shtator, 2019

Ardian Mema, trajneri i Tiranës, pas ndeshjes me Kukësin, foli në emisionin “Gol pas Goli”. Fillimisht ai foli për përplasjen mes lojtarëve. “Isha brenda, mendoj se ishte zënkë e momentit. Isha me stresin e lojës. Do ta marr vesh më vonë”, tha Mema.

Ndeshja – “Kukësi ka elementë. Na mungoi qetësia. Luanim ndaj një ekipi të fortë. Goli i parë na shokoi. U mundova në pushim të kërkoja qetësi. Ndodh të pësosh. Lojtarët duhet të jenë të përqendruar dhe të shohin si do shkojë ndeshja në vazhdim. U munduam pjesën e dytë, por nuk realizuam. Arbitri na ndërpriste shpesh lojën. Këto të shtrirat janë bërë të modës. Duhet të përgatitemi edhe për këtë gjë”.

Finalizimi – “Duhet qetësi. Patëm dy raste me Cobinnah. Në një ndeshje ka pak raste dhe duhet të shënojmë, pasi goli të liron”.

Kundërsulmet – “Motivi për të fituar na sjell mungesë ekuilibri. Na zunë keq në kundërsulme. Këtë gjë duhet ta shikojmë më mirë. Ne nuk duhet të bëjmë sulme aventureske, por të shënojmë. Duhet ekuilibër dhe të mendojmë edhe për pjesën prapa, që të mos pësojmë”.

Ngarkesa psikologjike – “Pritshmëritë janë të mëdha. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Është zmadhuar shumë opinioni, që Tirana kampione e gjëra të kësaj natyre. E kam thënë që nuk duhet të kemi eufori. Duhet të ulemi me këmbë në tokë. Nuk nisem nga kjo ndeshje, e kam thënë edhe më parë. Uroj të bëjmë kthesën me Partizanin”.