Mehmeti: Ndjesi e veçantë, derbi ka prodhuar gjithmonë emocione. Bëjmë maksimumin

schedule11:40 - 4 Mars, 2022

schedule 11:40 - 4 Mars, 2022

Partizani pas fitores 5-0 me Kukësin javën e kaluar, do të kërkojnë që të bëjë të njëjtën gjë edhe në derbi përballë Tiranës, takim që do të luhet në “Air Albania” ditën e shtunë ora 19:45.

Demat e Dritan Mehmetit do të kërkojnë një fitore përballë skuadrës kryesuese për të shkurtuar edhe diferencën prej 19 pikësh që i ndan  në tabelën e klasifikimit.

Në konferencën për shtyp, trajneri Dritan Mehmeti ka folur për derbin, ku preku edhe disa çështje të tjera sa i përket skuadrës së tij.

“Është ndjesi e veçantë, dihen vlerat e derbit. Kemi lojtarë që kanë fituar shumë derbe. Kam folur me skuadrën, më shumë me ata që nuk kanë provuar shijen e derbin. Shpresoj të jemi në ekuilibër dhe ta interpretojmë ashtu siç duhet, edhe pse derbi është i paparashikueshëm. Do doja të kishim më shumë kohë për të përgatitur ndeshjen.

Lojtarët shpeshherë harrojnë shpejt. Duhet të rrimë me këmbë në tokë, të jemi në ekuilibër. Nuk duhet të ndikohemi nga euforia. Skuadra? Në aspektin fizik jemi munduar të rikuperohemi, por kalendari i ngjeshur mund të ndikojë te pjesa e rimit. Gjithsesi, do kemi pesë ndërrime, kështu që do kemi mundësi të rifreskojmë ekipin në aspektin fizik.

Fitorja me Kukësin është bonus emocional. Bëhet fjalë për personalitetin dhe formimin e çdo lojtari. Jemi munduar ta harrojmë fitoren me Kukësin, lojtarët duhet të mendojnë për derbin. E kaluara është kapitull i mbyllur, gabim i madh nëse mendojmë për fitoren me Kukësin.

Çfarë kam ndryshuar te Partizani? Jam munduar t’i jap filozofinë time Partizanit, por edhe filozofinë e klubit. Jam pjesë e Partizanit prej katër vitesh, e njoh filozofinë e lojës së vrullshme dhe të shpejtë. Më pëlqen, filozofitë tona përshtaten. Jam munduar të jem në ekuilibër, pasi një skuadër duhet të ketë një mbrojtje të mirë dhe një sulm të shpejtë.

Jemi ekip me moshë të re? Aspekti psikologjik ka rëndësi, stafin teknik dhe elementëve me përvojë u del detyra të menaxhojnë edhe lojtarët e rinj, të cilët duhet të kenë entuziazëm dhe ta shijojnë derbin.

Kallaku? Jemi në kontakt të vazhdueshëm me stafin mjekësor. Sot do marrim vendimin final, shpresoj të jetë pjesë e skuadrës.

Derbi mbetet një derbi, është ndeshje me ndjesi të veçantë. Nuk ndikon nëse je për titull apo jo. Derbi ka prodhuar gjithmonë situata të ndryshme. Edhe skuadra që nuk ka qenë për titull, ka bërë diferencën dhe ka fituar.

Tirana? Jo vetëm sulmin më të mirë, ata kanë një skuadër të fortë, kanë edhe mesfushën më të mirë. Do u përgjigjemi me elementët tanë, duke marrë parasysh hapësirat që do të lënë.

Tirana ka fituar ekuilibër në lojë, shpeshherë ndërron edhe modulin. Janë me meritë aty ku janë, por ne duhet të kemi mënyrat tona për t’u kundërpërgjigjur.

Partizani nuk duhet të ndryshojë asgjë, është kundërshtari i radhës, edhe pse është derbi. Nuk duhet të ndryshojmë filozofinë apo mënyrën se si interpretojmë lojën. Do kemi lëvizje të vogla, por jemi Partizani dhe do kërkojmë identitetin tonë.

Mua më kënaq që skuadra është në ekuilibër, por të rrimë me këmbë në tokë. Të shohim te vetja në fillim, më pas të shohim se çfarë na lë kundërshtari”, përfundoi trajneri i Partizanit. /f.a/abcnews.al