Megi Doçi kampione në Turqi, vajza “e artë” e futbollit shqiptar fiton titullin te Galatasaray

schedule16:36 - 7 Maj, 2024

schedule 16:36 - 7 Maj, 2024

Ia doli me të parën. Megi Doçi është një vajzë e lindur për futbollin, siç e tregoi në Shqipëri te Vllaznia, dhe po ashtu në Turqi. Sulmuesja më e mirë e Kombëtares së femrave fitoi titullin kampion në Superligën turke duke luajtur për Galatasaray.

E prezantuar në janar të këtij viti, 27-vjeçarja e fitoi shpejt formacionin ku luajti shpesh, duke shënuar edhe tre gola. Titulli nga skuadra e Stambollit u sigurua vetëm javën e fundit me suksesin 2-0 në shtëpi ndaj ALG Sport.

Sulmuesja kuqezi ishte titullare me numrin 77 në shpinë, ndërsa Galatasaray la pas rivalët Fomget dhe Fenerbahce. Për Doçin ishte një përsëritje, pasi “vajza e artë” e futbollit shqiptar ia kishte dalë për shumë vite me radhë te Vllaznia, ku fitoi 10 tituj kampion radhazi e 10 Kupa të Shqipërisë, duke shënuar 700 gola sipas statistikave zyrtare në vend.

Vajza me origjinë nga Mati, me trupin që nuk ta mbush syrin prej 1.66 metrash, është gjithashtu shënuesja më e mirë e kombëtares shqiptare, me 11 rrjeta në 43 paraqitje. Kanë kaluar gati 7 vjet që kur Megi 20-vjeçare jepte intervistë për ABC News, si pjesë e ekipit përfaqësues me trajnerin Altin Rraklli, dhe thoshte se ëndrra e saj ishte të luante jashtë vendit. U desh të kalonin 7 vjet, që ajo të shënonte supergola, dhe që më pas të shkëlqente në fazën e grupeve të Champions League të femrave me gol në Madrit ndaj “Galaktikët”, që kjo ëndërr të realizohej. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!