Megaoperacioni ndërkombëtar në fushën e trafikut të drogës i zhvilluar në Shqipëri dhe Greqi ka vënë në pranga 61 persona. Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda, pas 10 muajsh hetime, finalizoi operacionin “Brezi i Gjelbër”.
Një operacion ndërkombëtar antidrogë, i quajtur “Brezi i gjelbër”, ka vënë në pranga 61 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Këto janë pamjet e aksionit policor të zhvilluar në disa qytete të vendit.
Drejtori i Policisë Shtetit, Ardi Veliu bashkë me Prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martini pohuan se, hetimet kishin nisur 10 muaj më parë.
Të hënën gjykata e Krimeve të Rënda lëshoi 26 urdhër-arreste, teksa 14 prej tyre u ekzekutuan. Mes të prangosurve janë, Florenc Llanaj, nëndrejtori i Spitalit të Sarandës dhe futbollisti i Delvinës, Adrian Xhibro.
Sipas Veliut, në hetim për korrupsion është edhe një prokuror në shkallën e parë në Gjirokastër, i cili u pezullua nga detyra.
“Në kuadër të këtij hetimi u evidentua një rast i dyshuar korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Në datë 24 janar 2019 u ndaluan shtetasit E. H., banues në Tiranë dhe E. D., banues në Përmet, si dhe u procedua masa e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të detyrës publike” i shtetasit S. Ç., banues në Gjirokastër (Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër). Këta shtetas janë akuzuar për veprat penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Në operacion u përshinë me qindra forca policie, të Njësive Operacionale, FNSH si dhe ato të Drejtorive Vendore të Policive Vlorë, Gjirokastër, Fier, Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Sarandë./ABC News Albania 24/7