Nga Juxhin Mustafaraj
Aleatët e Lulzim Bashës nuk duan t’ia lënë vullnetit të mazhorancës mbi formulën e grupit të forcave politike në koalicione para zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Në një intervistë për ABC NEWS, Mediu sqaron se janë të hapura të gjitha mundësitë për nënshkrimin e kontratave të bashkëpunimit me Partinë Demokratike, përfshirë edhe marrëveshje mbi bashkëqeverisjen.
“Ne duhet të kemi një marrëdhënie obligatore në raport me njëri-tjetrin për të caktuar skemën jo vetem të bashkëpunimit elektoral, por edhe të qeverisjes së bashku. Kjo do ta bënte më të ndjeshëm raportin”, thotë Mediu.
Mediu flet për oferta konkrete që kryeministri Rama po bën për aleatë të koalicionit opozitar për t’i përfshirë në qeverisje.
“Ka aktualisht oferta që hidhen në partitë opozitare për tu larguar nga fronti opozitar. Këto nuk kanë për t’u ndalur asnjëherë”, thekson ai.
Mediu kërkon që Këshilli Politik të dal me një vendimarrje për të gjithë deputetët që marrin mandate me një forcë politike dhe për interesa personale bashkohen më grupime të tjera politike.
“Këshilli Politik ndoshta të marrë një vendim që lëvizjet e individëve që zgjidhen nga subjekte të ndryshme politike apo subjekte që lëvizin nga një pozicion politik në një tjetër për interesa që skanë të bëjnë me vendin të jetë e ndëshkueshme. Kjo është pak e vështirë për tu përcaktuar, por ka ardhur koha”, thekson Mediu.
Opozita ka mandatuar Oerd Bylykbashin për të qenë pjesë e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KQZ, ndërkohë që është në pritje të mbledhjes së Këshillit Politik për të debatuar mbi hapjen e listave dhe formulën e koalicioneve parazgjedhore. /abcnews.al