Parlamenti nuk është pronë e Edi Ramës. Kështu është shprehur në mbledhjen e asamblesë së Partisë Republikane kryetari Fatmir Mediu. Ai kërkon bërjen e një analize të hapave të ndërmarrë nga opozita deri tani, e cila duhet të gjejë të gjitha mënyrat që të përfaqësojë zërin dhe interesat e qytetarëve deklaroi kreu i republikanëve.
Ikën në Shtator dhe nuk janë kthyer më në parlament. 4 muaj më pas për republikanët ka ardhur koha që të bëjnë një analizë pasi institucioni vendimarrës nuk është pronë e kryeministrit.
“Unë e kuptoj dhe e pranoj që shumë opozitarë të arrijnë në përfundimin se ky Parlament nuk bën dhe mandatet duhen djegur, nëse veprojmë kështu atëherë kush është hapi tjetër? Parlamenti nuk është i Edi Ramës, por parlamenti duhet të jetë zëri i qytetarëve”, tha Mediu.
Dhe kur flet për të rimenduar vendimin për bojkot parlament, kreu i republikanëve Fatmir Mediu saktëson rolin që duhet të marrë opozita në vazhdim.
“A duhet ne të diskutojmë strategji parlamentare të veprimit opozitar, që lidhen me bindjen që duhet të krijojmë, që Parlamenti duhet t’i kthehet qytetarëve, të jemi zëri dhe përfaqësimi i tyre? Nuk mendoj që problemin në parlament ne duhet ta shfaqim vetëm si një debat me batuta me Edi Ramën, por si një debat të drejtëpërdrejtë duke përfaqësuar interesat dhe zërin e qytetarëve”, u shpreh kreu i republikanëve.
Përfaqësimi i qytetarëve duhet ta karakterizojë opozitën në të gjitha hapat që hedh sipas kryetarit të Partisë Republikane. Duke ripërsëritur deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha se me Edi Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, Fatmir Mediu shpjegon domethënien e kësaj deklarate.
“Është shumë e rëndësishme që opozita të lidhet me masën e vet të anëtarësisë, por edhe me masën e gjerë të qytetarëve shqiptarë. Një opozitë e cila në mënyrë parazitare pretendon që duhet të vendosë për çdo gjë, duke shpërfillur zërin e qytetarëve.”, theksoi Mediu.
Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Republikane Fatmir Mediu renditi edhe pasojat që do të ti sjellë vendit mungesa e gjykatës kushtetuese e shtimi i numrit të dosjeve që kanë mbetur pa gjykuar në Gjykatën e lartë, duke sjellë një shembull.
“India me rreth 1.3 miliardë banorë, me 19 anëtarë në Gjykatën e Lartë ka 50 mijë çështje të pashqyrtuara. Dhe kjo sipas BBC, përbën një alarm dhe ishte rast i paprecedentë. Shqipëria me më pak se 3 milion banorë, me 17 anëtarë të Gjykatës së Lartë ka 30 mijë dhe së shpejti mund të shkojnë në 50 mijë çështje të pashqyrtuara, më keq se India”, u shpreh ai.
Kryetari republikan u ndal edhe te protesta e banorëve të Unazës Re. Ai kërkoi dëmshpërblimin e tyre sipas vlerës së tregut.
“Pse protesta e tyre është e drejtë? Së pari, Rama ka premtuar legalizmin e çdo objekti banimi dhe biznesi të ndërtuar në zonat informale. Nuk ka gjë më të ulët për një kryeministër, apo kryebashkiak, t’i etiketojë qytetarët e tij si shpellarë, të përbuzë dhe të merret me emra individësh, për të bërë shantazh si në kohën e komunizmit”, tha Mediu.
Kreu i republikanëve i kujton kryeministrit se prej 25 vitesh janë taksuar ndërtesat që kërkon të shembë./abcnews.al