Mediat serbe “kryqëzojnë” Vuçiçin: Pjesëmarrja në Sofje një thikë pas shpine

schedule16:49 - 17 Maj, 2018

schedule 16:49 - 17 Maj, 2018

Mediat serbe i kanë kushtuar një hapësirë të gjerë samitit të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, ku ishte i pranishëm dhe presidenti serb Vucic. Pikërisht ky i fundit është kritikuar nga mediat në vend për praninë në një samit ku Kosova u trajtua si shtet.

Është cilësuar si një thikë pas shpine nga mediat serbe prania e kreut të shtetit Aleksander Vuçic  në Samitin e Sofies. Në një analizë të “Blic”, thuhet se mungesa e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoi në samitin e bashkimit europian dhe vendeve të Ballkanit perëndimor dhe nga ana tjetër prania e Serbisë janë dy gjëra që nuk shkojnë. Në shkrim thuhet ndër të tjera se kreu i ekzekutivit spanjoll nuk mori pjesë në një takim ku Kosova përfaqësohet si shtet sepse praktikisht do të njihte statusin e shtetit si të barabartë me të tjerët. Nga ana tjetër, Serbia përfaqësohet nga presidenti Vuçic sepse ai këmbënguli se nuk duhej injoruar vendi organizator, Bullgaria. Nga kjo del se Spanja mbron qëndrimin e saj për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Serbia nuk po e bën këtë.

Në këtë samit, Kosova u përfaqësua nga kryeministri Haradinaj, presidenti Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Pacolli.

Ndërkohë para Qendrës e Kulturës në Sofie, pesë shtetas serbë protestuan kundër pranisë së delegacionit kosovar, që mori pjesë në Samitin e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor. Ata mbanin në duar një parullë ku shkruhej “Kosova është Serbi”. /abcnews.al