Mediat serbe: Kosova do të hiqet nga Kushtetuta

schedule15:17 - 23 Mars, 2018

schedule 15:17 - 23 Mars, 2018

Mediat e Beogradit raportojnë se presidenti Aleksandër Vuçiç do të prezantojë platformën e tij për zgjidhjen e çështjes me Prishtinën në Qershor. Gazeta “Danas” shkruan se deri në fund të vitit, Serbia do të heqë preambulën nga Kushtetuta e vendit, ku Kosova konsiderohet pjesë e Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të prezantojë planin e tij për zgjidhjen e problemeve me Kosovën gjatë Qershorit. Kjo është raportuar nga e përditshmja “Danas”, duke cituar burime diplomatike perëndimore. Një zhvillim i tillë do të pasohet me heqjen e preambulës në kushtetutën e Serbisë, e cila e trajton Kosovën si pjesë të saj. Kjo duhet të ndodhë nga fundi i këtij viti, apo fillimi i vitit të ardhshëm.

Më tej, gazeta e Beogradit shkruan se pas gjithë kësaj kohë, perëndimi kërkon jo vetëm normalizim të raporteve, por një marrëveshje të gjerë mes dy shteteve. Këto zbulime vijnë pasi vitin e kaluar Presidenti i Serbisë ngriti një debat të brendshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Vuçiç kërkon normalizimin e mardhënieve në mënyrë që ky problem të mos i trashëgohet brezave të ardhshëm.

Por pas qëndrimit në New York, ai është kthyer i pakënaqur me rezultatin, ngaqë shpresonte në mbështetjen e perëndimit për qëndrimin e tyre kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Më herët Vuçiç ka theksuar se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me kompromis, pa specifikuar çfarë ka në mendje.

Ndërkohë, Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, kanë ritheksuar qëndrimin e tyre kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Madje kryediplomati i Beogradit duke akuzuar shtetet perëndimore për presion tha se nuk do të lejojë poshtërimin e vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!