Mediat ndërkombëtare raportojnë protestën e opozitës

schedule18:01 - 18 Dhjetor, 2017

schedule 18:01 - 18 Dhjetor, 2017

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë pasqyruar gjerësisht dhunën në protestën e opozitës kundër zgjedhjes së Prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm. Mediat e huaja shkruajnë se në protestë morën pjesë 3 mijë persona dhe disa prej tyre u lënduan.

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë raportuar situatën e tensionuar brenda dhe jashtë parlamentit në ditën e zgjedhjes së Prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm. AFP i ka paraqitur zhvillmet në Shqipëri me anë të disa fotografive. Ndërsa “Associated Press” shkruan se në protestën e opozitës jashtë parlamentit morën pjesë rreth 3 mijë persona. Kjo agjenci thekson se disa prej tyre janë lënduar nga përleshjet me policinë.

“Associated Press” citon opozitën ku shkruan se ata e cilësojnë antikushtetuese zgjedhjen e Arta Markut në drejtim të përkohëshëm të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa Rojters duke pasqyruar dhunën jashtë dhe brenda parlamentit, rithekson se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri thirrje për protesta të reja në Janar.

Ndërsa citon kryeministrin Rama i cili thekson se zgjedhja e kryeprokurorit ishte legjitime dhe kushtetuese si dhe është konfirmuar edhe nga ekipi i BE-së dhe Shteteve të Bashkuara që asistojnë në reformën në drejtësi. “Komisioni Europian ia ka bërë të qartë Shqipërisë se dëshiron të shikojë rezultat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përpara se t’i kërkojë vendeve anëtare aprovimin e hapjes së bisedimeve për anëtarësim me Tiranën”, shkruan Rojters.

Situata është raportuar edhe nga agjencia kineze e lajmeve, Xinhua. Gjithashtu shkrimet e “Associated Press” dhe “Rojters”, janë shpërndarë nga media të rëndësishme ndërkombëtare si Daily Mail, Uashington Post e shumë të tjera./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!