Mediat kosovare: Partitë arrijnë marrëveshjen për demarkacionin

schedule14:55 - 24 Shkurt, 2018

schedule 14:55 - 24 Shkurt, 2018

Lidhja demokratike e Kosovës dhe Aleanca për ardhmërinë e Kosovës e Haradinaj kanë arritur në një marrëveshje për të votuar në parlament ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sipas mediave kosovare kryeministri Haradinaj ka pranuar kërkesat e partisë së Mustafës.

Mediat kosovare raportojnë se është arritur marrëveshja mes partive për votimin në parlament të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Lajmi është pranuar publikisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës por dhe nga kryetari i partisë demokratike të Kosovës, njëkohësisht dhe i Parlamentit Kadri Veseli. Tashmë LDK i bën apel Vetëvendosjes që të bashkojë votat për miratimin e marrëveshjes.

Gjatë ditës partia e Isa Mustafës përshëndeti vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për të plotësuar kërkesën e tyre. Haradinaj ra dakord që raporti i Shpejtim Bulliqit të jetë vetëm informues për deputetët kur të votohet demarkacioni. Në një deklaratë për mediat shkruhej se Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret gatishmërinë e partive të koalicionit për të pranuar propozimin e LDK-së lidhur me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Kjo hap rrugën që marrëveshja të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës të kërkohet nga BE që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza

Ndërkohë, edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli konfirmoi për Gazetën Express se është arritur marrëveshje me Ramush Haradinajn për ta pranuar propozimin e LDK’së për demarkacionin. Ai shtoi se i pranishëm në takim ka qenë dhe kryetari i parlamentit.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Haradinaj nuk binin dakord me përmbajtjen e dokumentit që do të miratohej në Parlament. Partia e Isa Mustafës kërkonte që raporti i Shpejtim Bulliqit të ishte vetëm informues, ndërsa, Haradinaj kërkonte që ai të ishte detyrues.

Bashkë me Marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 2015 do të ratifikohet në Parlament edhe dokumenti i nënshkruar nga Presidenti kosovar dhe ai malazez, i cili saktëson se mund të bëhen përmirësime të shënimit të vijës kufitare nëse zbulohen fakte të reja. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!