Mediat gjermane: Rama në Berlin për të bindur Merkel

schedule15:06 - 25 Prill, 2018

schedule 15:06 - 25 Prill, 2018

Kreu i qeverisë shqiptare ka pritshmëri të mëdha nga vizita në Berlin. Këtë e pasqyrojnë mediat gjermane, të cilat publikojnë deklaratat e kryeministrit Rama, që  dëshiron të bindë sot Angela Merkel, se vendi i tij është gati për në Bashkimin Evropian. Mediat gjermane citojnë edhe krahasimin që Rama i bën takimit të pritshëm me kancelaren.

Kreu i qeverisë shqiptare ndodhet në Berlin me shpresa të mëdha. Këtë e pasqyrojnë mediat gjermane në shkrimet e tyre duke shtuar se Edi Rama dëshiron të bindë Kancelaren Angela Merkel se vendi i tij është gati për në Bashkimin Evropian.

Por shumë anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare janë skeptikë lidhur me bisedimet e pranimit shkruan rrjeti editorial gjerman. Në intervistën me kryeministrin Rama citojnë krahasimin që kreu qeverisë shqipëtare i bën kësaj vizite.

“Angela Merkel është një kampione evropiane. I gjithë rajoni i Ballkanit shpreson tek ajo. Pra, është normale që çdo kryetar  qeverie në Ballkan që shkon në Berlin ndihet pak si pelegrin që dëshiron të shohë Papën”.

Ndërsa gazeta gjermane “Die Welt” sjell në një formë tjetër profilin e kryeministrit që kërkon të bëjë për vete kancelaren gjermane.

“Ish-basketbollisti dhe artisti në Berlin do të synojë me sharmin e tij të bëjë për vete kancelaren Merkel që të marrë mbeshtetjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”. 

Dhe vërtet Rama, një socialist, ka se ç’të tregojë shkruan, Die Welt, duke iu referuar ekonomisë në rritje, Tiranës që mbushet me fasada që shkëlqejnë, një reformë në drejtësi e kërkuar nga BE që ka marrë udhë. Ana tjetër e medaljes është skpeticizmi, sipas medias gjermane.

“Ka njerëz që janë skeptikë, kur shtrohet pyetja për Shqipërinë që të bëhet sa më shpejt anëtare e BE-së, kjo lidhet edhe me histori si kjo: Në Tetor prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri sepse emri i tij përmendej disa herë në telefonatat mes tregtarëve shqiptarë dhe italianë të drogës.”

Gazeta gjermane i kushton vëmendje të gjithë zhvillimeve lidhur me rastin Tahiri dhe konkludon me përgjigjen e  Ramës kur i pyetur nga “Die Welt” lidhur me rastin e sëkëlldisshëm Tahiri thotë:

“Besoj në radhë të parë se dyshimet ndaj një personi nuk mund të pengojnë përpjekjet e një vendi të tërë.”

Gazeta thekson se është një nga këto raste që e prishin dhe përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Europës. Deri më sot nuk është i hequr plotësisht dyshimi se kriminaliteti i organizuar ka kapur fort ekonominë e vendit dhe tentakulat e tij arrijnë deri në nivelet më të larta të qeverisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!