Mediat dhe tifozët ngrenë në qiell Messi-n

schedule18:21 - 3 Shtator, 2018

schedule 18:21 - 3 Shtator, 2018

Messi merr lavdërime të mëdha nga mediat dhe tifozët pasi hoqi dorë nga goli personal, duke i dhuruar penalltinë shokut të skuadrës, Luis Suarez. Argjentinasi vlerësohet si kapiten i vërtetë.

Lajmi kryesor ishte fitorja e thellë dhe ngjitja në krye të renditjes.

Barcelona mposhti 8-2 debutuesen e La Ligës, Hueskën, duke lënë në vend të dytë Realin për meritë të golaverazhit, por jehonën më të madhe mediatike e pati veprimi i Lionel Messi-t.

Argjentinasi kishte shënuar dy gola dhe pati mundësi në minutën e fundit të realizonte të tretin, veçse refuzoi vullnetarisht. I la penalltinë atij që e fitoi, Luis Suarezit, që shënoi golin e dytë në ndeshje.

Një zemërgjerësi e denjë për lojtarin e cilësuar si më të madhin e botës dhe jehona nuk vonoi.

“Mund të kishte shënuar një tregolësh, por Mesi ia la penalltinë shokun të skuadrës, Suarezit”! – ishte komenti i “Fox Neës” nga Amerika.

“Uruguajani ia ofroi penalltinë Messi-t për të shënuar golin e tretë, por ai refuzoi dhe Suarezi shtoi rrjetën e tetë të ndeshjes”, shkruajti “The Gardian” nga Anglia.

Tifozët nuk i kursyen komentet.

“Messi duke i dhënë topin Suarezit për penalltinë, ndërsa ai mund të shënonte tregolësh. Kapiten i vërtetë!”, – postoi njëri prej tyre.

“Lionel Messi hoqi dorë nga tregolëshi dhe i dha penalltinë Suarezit! Nuk jemi të sigurt nëse Neymari apo Ronaldo do ta kishin bërë këtë”, – ishte një tjetër koment.

Nënkuptimi ishte i qartë, ai i referohej sherrit mes Neymarit e Kavanit tek Paris SG për gjuajtjen e penalltive apo goditjeve të dënimit. Ky nuk ishte altruizmi i parë i Mesit.

Në shkurt të 2016-s, argjentinasi nuk e gjuajti direkt në portë penalltinë ndaj Seltës, por ia pasoi Suarezit që shënoi.

Ishte një rikrijim të magjisë së Johan Krujfit, në penalltinë e ekzekutuar me tre pasime nga Ajaksi ndaj Helmondit në 1982. Messi u bë kryelajm ndaj Hueskës edhe për golin e tij të parë.

Në një përballje ku realizoi dy herë, shërbeu dy asiste, goditi një herë shtyllën, dhe fali një penallti, ai pati një veprim që do të hyjë në historinë e futbollit.

Mënyra sesi shmangu Luizinjon, të kujton një gol të madh të shënuar prej tij në Ligën e Kampionëve, në 2015, ndaj Bajernit, kur shmangu në mënyrë të ngjashme mbrojtësin gjerman, Jerome Boateng, për të realizuar në sfidën gjysmëfinale në “Camp Nou”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!