Media turke: Si u kap baroni i drogës, “Met shqiptari”

schedule18:08 - 22 Mars, 2018

schedule 18:08 - 22 Mars, 2018

Media turke i ka dhënë hapësirë të gjerë shkatërrimit të bandës ndërkombëtare të trafikut të drogës, drejtuar nga ‘baroni’ shqiptar Met Kanani, me pseudonimin “Met shqiptari”.

Sipas një lajmi të gazetarit Cetin Aydin në të përditshmen “Hurriyet”, ekipet e Drejtorisë së Anti-trafikut në Stamboll kishin pikasur disa njerëz të Met Kananit në Turqi dhe kishin nisur ndjekjen e tyre.
Si pasojë e një hetimi të shtrirë në 6 muaj u pa se grupi përdorte brigjet e Bodrumit për trafikimin e drogës. Gjatë hetimit u zbulua se në Turqi do të mbërrinte edhe vetë ‘baroni’ shqiptar i drogës, Met Kanani. Policia e Stambollit kërkoi menjëherë mbështetje edhe nga Policia e Provincës së Mulas, ndërsa u njoftua edhe Policia Shqiptare.

Mbërritjen e drogës e pa nga maja e një kodre
Me mbërritjen e Met Kananit në Bodrum, policia nisi ndjekjen e tij nga afër. Gjatë hetimeve u pa se Met Kanani po shikonte mbërritjen e drogës me një jaht në brigjet e Mulas, nga maja e një kodre. Por ‘baroni’ shqiptar nuk e dinte se po ndiqej nga policia, e cila edhe e kishte fotografuar.
Banda e tij përdorte si depo një adresë në Milas të Mulas, e cila përdorej edhe për magazinimin e ujit. Më të provuar vend-magazinimin e drogës, policia vendosi të niste operacionin për arrestimin e trafikantëve.

Sipas “Hurriyet”, policia e bastisi depon në orën 02:30 të mëngjesit të së martës. Në depo u arrestua “Met shqiptari” dhe 6 njerëz të tij, si dhe u sekuestruan 1.1 ton kanabis me vlerë mbi 5 milionë euro. Ndërsa në valën e dytë të operacionit të zhvilluar të enjten me pjesëmarrjen e 250 policëve u arrestuan edhe 4 të tjerë.
“Hurriyet” dhe “Yeni Safak” raportojnë se 4 prej të arrestuarve ishin shqiptarë, ndërsa kombësia e 7 trafikantëve të tjerë nuk bëhet e ditur. Sipas informacioneve të policisë turke, kanabisi do të bëhej gati për treg dhe do të transportohej drejt Stambollit për shitje.

Operacioni në Greqi
“Hurriyet” raporton se ndaj Met Kananit, më 29 Nëntor të vitit të shkuar kishte kryer një operacion edhe policia greke.
Në operacionin gjatë të cilit u përdorën edhe helikopterët, për ndjekjen e gomones me kanabis nga ajri, pati shkëmbim zjarri mes trafikantëve dhe policisë. Pasi u mbaroi benzina, trafikantët u dorëzuan dhe policia greke sekuestroi 1.3 tonë kanabis, megjithatë grekët nuk arritën të kapin ‘kokën’ e grupit, Met Kananin.
Kanani raportohet se kishte në duart e tij një pjesë të rëndësishme të rrugës ballkanike të trafikimit të drogës. Sipas ekspertëve, nëpërmjet kësaj rruge, banda e tij dërgonte në Europë heroinën që vjen nga Afganistani, Irani dhe Turqia, teksa nga Europa merrte kanabis dhe pilula droge, të cilat i trafikonte kryesisht për në vendet arabe.
Me këtë operacion, media turke raporton se është goditur rëndë rruga ballkanike e trafikimit të drogës, si dhe e kanabisit që prodhohet në Shqipëri.//tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!