Media amerikane futet brenda fabrikës së demontimit të armëve në Poliçan, hyrjet plot mister

schedule23:00 - 30 Nëntor, 2021

schedule 23:00 - 30 Nëntor, 2021

Mediumi fotografik PetaPixel i ka kushtuar një artikull qytetit të Poliçanit, i cili ka qenë një nga qytetet me fabrikat më të mëdha të armatimit në vend në kohën e regjimit komunist.

Artikulli i plotë

Në vitet 1960-1970, qyteti i Poliçanit ishte një nga qendrat më të mëdha dhe më të rëndësishme të armatimit në Shqipëri. Për arsye sigurie, shumica e informacioneve ishin sekrete dhe vetë qyteti ishte i mbyllur për të huajt.

Nga informacionet, dihet se kjo fabrikë është ndërtuar për prodhimin e municioneve të kalibrave të ndryshëm të armëve, përfshirë pushkën AK-47 (kallashnikov), predha mortajash, sulmuese dhe mbrojtëse, granata, mina dhe antitank.

Për këtë qëllim u përdorën makineritë më të fundit franceze, ndonëse deri më sot nuk dihet ende sesi autoritetet arritin ti’i blinin ato në kohën e komunizmit. Kishte mbi 100 makineri franceze, dhe secila prej tyre mund të prodhonte afro 30,000 fishekë në ditë.

Në kulmin e punës në fabrikë, rreth 4,000 persona punonin në uzina në tre turne. Megjithatë, në fund të viteve 1990, si rezultat i rënies së regjimit komunist dhe humbjes së aftësisë për të konkurruar në tregun ndërkombëtar të armëve, prodhimi ra. Fabrika u fut në vështirësi financiare dhe u mbyll. Në atë kohë, shumica e pajisjeve të prodhimit u bënë të tepërta dhe disa u hoqën, u shitën ose u vodhën.

Në vitin 1997, shpërtheu lufta civile dhe qyteti përjetoi trazira. Kompleksi i prodhimit u mor përkohësisht nga bandat kriminale. Në vitet e mëvonshme, qeveria shqiptare u përpoq të rifillonte funksionimin e saj duke ndryshuar linjat e mbetura të prodhimit.

Përfundimisht, fabrika u mbyll përgjithmonë. Megjithatë, ajo ruhet ende nga afër edhe sot. Disa besojnë ende se në të ardhmen, pas modernizimit të uzinës, marrjes së një injeksioni financiar ose një kontrate fitimprurëse, prodhimi do të bëhet sërish fitimprurës në rast se do të ketë makineritë e nevojshme.

Kompleksi ushtarak shtrihet në një luginë të vogël, pak larg skajit jugor të qytetit. Rrethohet nga njëra anë me kodra me ullinj dhe rrush, dhe nga ana tjetër me hyrje prej betoni dhe metali në magazinat dhe tunelet nëntokësore.

Ka më shumë se 20 ndërtesa industriale të madhësive të ndryshme në terren. Shumica duken të braktisura, me dritare të thyera ose pa dyer apo dritare fare. Nga asnjë prej oxhaqeve të ndryshkur nuk del më tym dhe nuk ka asnjë shenjë të ndonjë aktiviteti jashtë sigurisë. Është e vështirë të imagjinohet se ky vend i qetë dikur kishte një histori kaq shpërthyese. Kjo është ajo që na bëri të vendosim të vizitojmë këtë vend.

Gjetja e hyrjes në tunelet nëntokësore të shpuara në shpatin e malit, ku ndoshta ishte fshehur një nga linjat e prodhimit të municioneve, nuk është një problem i madh. Është më e vështirë të futesh brenda sepse portat masive prej betoni, 6 metra të larta dhe me peshë disa tonë, bllokojnë efektivisht hyrjen dhe ruajnë sekretet e tij. Është e pamundur t’i hapësh me forcë.

Pikërisht kur jemi gati të kontrollojmë hyrjen tjetër, vëmendja ime tërhiqet nga katër shenjat e vogla mbi porta. Duke u mbështetur në menteshat e forta prej çeliku, ngjitem mbi skajin e sipërm të derës së betonit. Menjëherë ndjej një fluks ajri të freskët, që tregon se tuneli i ngushtë pas hapjes është i hapur. Fatkeqësisht, në fund të tij janë instaluar shufra të trasha çeliku. E njëjta gjë vlen edhe për pasazhin e dytë dhe të tretë.

Brenda ka një heshtje dërrmuese, e “thyer” vetëm nga zhurma e hapave tona. Fenerët tanë nuk janë në gjendje të ndriçojnë gjithçka, gjë që vetëm rrit atmosferën e misterit dhe frikës. Ne endemi për një kohë duke kërkuar në dhoma të ndryshme, por nuk gjejmë asgjë. Duket se tuneli është bosh.

Nuk ka mbetur asnjë makineri apo gjurmë të tjera të prodhimit të municionit të armëve. Kur vendosim të kthehemi në dalje, vëmendja jonë tërhiqet nga një derë e mbështetur pas murit. Kur afrohemi, zbulojmë një vrimë të vogël në murin me tulla pas saj. Dikush duhet ta ketë bllokuar me qëllim..

Në shkëlqimin e elektrik dore, shfaqen skicat e para të makinerive. Pas gati dy dekadash mospërdorimi dhe mungesë mirëmbajtjeje, shumica e pajisjeve ndoshta janë të përshtatshme vetëm për skrap. Mundohem të marr me mend se për çfarë janë përdorur. Ka predha, plumba, madje edhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm kudo në dysheme, tavolina, makina.