I bindur se me potencialin që ata kanë do të jënë një vlerë e shtuar e shoqërisë, kryeministri Edi Rama u dorëzoi “Medaljen e Artë”, 188 maturantëve të cilët përfunduan gjimnazimin me 10-ta absolute.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal tek vështirësitë që ata kanë hasur teksa thekson se në aktualitetin e sotëm është e vështirë te jësh hero pozitiv, në një kohë që promovohen vetëm ato negativët.
“Jam i bindur se ndër ju ka djem dhe vajza që janë rritur në familje me halle, që kanë një prind të vetëm në punë apo që ecin gjatë për të shkuar në shkollë. Pavarësisht këtyre vështirësive, ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë dhe për këtë arsye, ju jeni heronj për mua”.
Përtej sfidave, Rama tha se me avancimin e teknologjisë është lehtësuar edhe procesi i mësimdhënies dhe mësimmarrjes.
“Ju kam zili sepse në ndërkohë e gjithë bota është aty përpara jush që ju ta zotëroni. Keni të gjithë kohën e nevojshme përpara dhe në ndërkohë, ndryshe nga unë në moshën tuaj, keni gjithçka në dispozicion nëse doni që dija juaj të jetë sa bota. Nuk ju mungojnë rrugët për të shkuar në çdo cep të dijes që ka bota falë teknologjisë. Nuk ju mungojnë autorët që doni të takoni dhe me të cilët doni të bëni shoqëri, nuk ju mungojnë mjetet për të qenë më të mirët në botë dhe ju po e bëni këtë”.
U tha se nuk do tu jepte këshilla, mirëpo nga ëndrrat i inkurajoi të mos heqin dorë.
“Një ëndërr edhe këtë e përsëris gjithmonë kur bëj këto takime me ju, që e shikon me sy hapur, përderisa e shikon me sy hapur, ti mund ta arrish, por mes teje dhe asaj ëndrre është një det që ti duhet të jesh i gatshëm ta kalosh në këmbë pa u sprapsur nga dallgët, pa u dorëzuar kur furtunat i ngrenë dallgët aq lart sa gati të mbysin, pa u tunduar që nga lodhja të kthehesh prapë në breg dhe nëse je i gatshëm t’i bësh të gjitha ato sakrifica që ajo ëndërr kërkon sepse sa më e madhe të jetë aq më shumë sakrifica kërkon nga ty, ti do t’ia arrish”.
Ceremonia e shpërndarjes së Medaljeve të arta për nxënësit ekselentë tashmë është kthyer në traditë, si simbol i suksesit të tyre akademik… /abcnews.al