Thellohet tragjedia në familjen Lala në Durrës. Një tjetër anëtare ka ndërruar jetë, në kohën kur 8 familjarët e saj përcilleshin për në banesën e fundit. Fiqerete Lala pësoi një atak kardiak nga dhimbja për humbjen e të dashurve të tyre. I vetmi i mbijetuar i kësaj familjeje është 17-vjeçari Ramë Lala, i cili po kurohet në Itali.
Teksa 8 anëtarët e familjes Lala përcilleshin për në banesën e fundit, zemra e Fiqerete Lalës, pushoi së rrahuri. 64-vjeçarja nuk mundi ta përballonte dhimbjen për humbjen e 8 anëtarëve të familjes së saj, duke pësuar atak në zemër.
Burime nga Ministria e Shëndetësisë bënë të ditur se gruaja ka ndërruar jetë në kohën kur në Pallatin e Kulturës në Durrës, mbahej ceremonia mortore për 8 viktimat e familjes Lala.
I vetmi i mbijetuar nga shembja e banesës së kësaj familjeje është 17-vjeçari Ramë Lala. Gjendja e tij shëndetësore nuk është paraqitur e mirë prandaj është dërguar në Itali për një mjekim më të specializuar.
Jetën e Ramës, e shpëtoi një lavatriçe. Struktura metalike e kësaj orendie shtëpiake krijoi mjaft hapësirë sa për t’i mbrojtur trupin dhe kokën 17-vjeçarit, pas shembjes së banesës katër katëshe nga tërmeti i fuqishëm që la pas 51 viktima.
Familja Lala është më e prekura nga kjo tragjedi me 9 viktima, tanimë.
E dhimbshme ishte humbja e Marjetës, e cila u gjet nën rrënoja e përqafuar me 3 fëmijët e saj, Emilion 6 vjec dhe dy binjakët 2 vjeçarë, Dionisa dhe Dionis. Amelia, vajza më e madhe, 10 vjeç, u gjet e pajetë disa metra më tej
Gjyshja Sahadete, e vdekur pranë të birit, ilir. Ndërsa edhe Griselda 19 vjeç nuk ia doli të dilte e gjallë nga rrënojat. Pikërisht atëherë kur u shpresua se bilanci nuk do të thellohej, me vdekjen e Fiqerete Lalës, numri i viktimave të shkaktuara si pasojë tërmetit të 26 nëntorit, ka arritur në 52.
Pas Familjes Lala, familja më e goditur nga tërmeti është Cara me 6 viktima dhe familja Reçi me 4 viktima. Kjo tragjedi, i ka kapërcyer kufijtë e dhimbjes, duke përlotur njerëz nga mbarë bota…/abcnews.al