Më shumë raste por më pak viktima, mjekët: Faktorët që ndikojnë, infeksioni po prek “xhepat”

schedule21:59 - 20 Shtator, 2021

schedule 21:59 - 20 Shtator, 2021

Ndonëse me të njëjta trende në shifrat e infeksioneve ditore, vdekjet sot janë gati katër herë më të ulëta se në kulmin e pandemisë në muajin shkurt.

Kjo për drejtorin e Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj vjen sepse ata që e kanë kaluar njëherë virusin tashmë u shfaqet si rrufë që shpesh herë ngatërrohet edhe me gripin. Ai theksoi në “Log.” në ABC se sa më shumë të imunizohemi aq shumë ulet edhe infektimi.

“Po shfaqet më shumë në aparatin tretës se në atë respirator. Me të vjella. Për shkak të virozave stinore. Ata që e kanë kaluar njëherë virusin ose kanë bërë vaksinën e kalojnë si një rrufë. Por në rast se nuk izolohen ata do të bëhen burim infeksioni. Fasha e të rinjve dhe fëmijët janë më të ekspozuar sepse nuk janë as të vaksinuar.

Kjo e përcakton edhe Deltën. Njerëzit kanë më shumë frikë sa të sigurta janë vaksinat. Sa më shumë të imunizohemi edhe nëpërmjet vaksinimit aq më shumë ulet edhe infektimi”, theksoi Brataj.

Ndërsa epidemiologu Ilir Alimehmeti deklaroi se një ndër faktorët që ndikon në numrin e lartë të infeksioneve është edhe arsyeja pse bëhen testet, duke nënvizuar këtu se sot dalin pozitivë ata persona që bëjnë një test COVID para se të udhëtojnë jashtë vendit pa e ditur se mund të jenë të infektuar.

“Ka një rëndësi edhe si bëhen testet sot dhe si bëhen në shkurt. Dalin pozitivë edhe ata që dalin jashtë bëjnë testin dhe dalin pozitivë. Edhe ata nuk kthehen në raste spitalore sepse ata nuk kanë dijeni se janë të infektuar. Prandaj nuk duhet të shohim më rastet e reja por numrat spitalore. Ky infeksion po gjen xhepat e popullatës që nuk janë imunizuar akoma. Mes tyre ka dhe shumë fshatra turistike që nuk kanë pasur lëvizje ndërsa pas sezonit edhe ato janë prekur”, theksoi ai. m.v/abcnews.al