“Me patericë, duke ecur zvarrë në rrugët e Prishtinës”, Nano: Pse Isa Mustafa duhet të japë dorëheqjen

schedule07:06 - 28 Dhjetor, 2019

schedule 07:06 - 28 Dhjetor, 2019

Situata politike në Kosovë, pasi vendi është ende pa një qeveri, ishte tema e monologut të Mustafa Nanos në “Provokacija”.

Nano është shprehur se lideri i LDK, Isa Mustafa duhet të japë dorëheqjen, pasi gjendja e tij fizike nuk është e mirë.

Mustafa e ka pranuar vetë një gjë të tillë publikisht, ndërsa  Nano u shpreh se këto ditë Mustafa është parë duke ecur me një patericë në dorë në rrugët e Prishtinës, në tentativë për të arritur marrëveshjen.

Teksa i ka uruar shërim të shpejtë, Nano ka theksuar se Mustafa duhet të japë dorëheqjen, pasi nuk është i pazëvendësueshëm.

Mesazhi i plotë i Mustafa Nanos:

Në Prishtinë pas zgjedhjeve të fundit të cilat u fituan nga VV dhe nga LDK-ja, duke parë që ato të dyja janë partitë që kanë vendosur të negociojnë, ka kohë pra që kanë filluar negociatat. Gjatë kohës që këto negociata janë zhvilluar ne kemi pasur mundësi të shohim, përveç të tjerash nëpër rrugët e Prishtinës zotin Isa Mustafa të ecë ngadalë, shumë ngadalë, gati-gati të zvarrisë këmbët e veta për të shkuar diku, apo për tu larguar. Ka patur gjithmonë në dorën e djathtë një patericë, tek e cila është mbështetur dhe në krahun e majtë ka pasur një person që e mbajtur për krahu dhe e ka ndihmuar që të ecë. Ai është i sëmurë, këtë gjë e ka pranuar vetë publikisht, ka pothuajse 2 vjet, vuan një sindromë e rrallë që quhet “Guillain Barre” dhe ka të bëjë me një dobësim muskulor që përparon me ritme të shpejta.

Pra është një sëmundje problematike në rrethanat në të cilat ndodhet Isa Mustafa. Ai ka mundur të frenojë përparimin e kësaj sëmundje në sajë të kurave dhe në sajë të kujdesit të mjekëve për fat të mirë mendjen e ka qiqërr sepse sëmundja nuk ka afektuar procesin e tij të të menduarit dhe kjo është ok, por fizikisht është i pamundur. Në vend të tij unë do të jepja dorëheqjen dhe do të tërhiqesha nga politika dhe do të fokusohesha tek shëndeti im personal, është një gjë që do ta bëja dhe nuk do shihnja asnjë në botë pse të mos e bëja sepse funksionet e Isa Mustafës në këtë rast dhe detyra që ai ka si kryetar i LDK-së një nga më të rëndësishmet. Kjo detyrë kërkon energji fizike, që Isa Mustafa sot nuk i ka.

Unë mendoj se ai duhet ta kishte dhënë dorëheqjen sepse ai mund të zëvendësohet, të gjithë njerëzit në këtë botë janë të zëvendësueshëm. Vetëm profetët nuk janë të zëvendësueshëm, mirëpo, profetët kanë  një mandat që ua jep tjetërkush. Edhe profet është ai tjetërkushi që unë ju përmenda që mund t’ua heqë mandatin, të gjithë të tjerët janë të zëvendësueshëm dhe unë dua të them se Isa Mustafa nuk është profet, edhe ai vetë e di që nuk është profet. Isa Mustafa nuk është as Buda, nuk është as ndonjë perandor, ndonjë mbret, diktator se edhe këta për arsye të ndryshme e kanë të vështirë të japin dorëheqjen. Ai nuk është as Papa i Romës, ndonëse edhe Papa për arsye shëndetësore ka ndodhur që ka dhënë dorëheqjen. Pra Isa Mustafa mund të zëvendësohet, sipas meje ka gjithmonë kohë që ai të japë dorëheqjen dhe duhet ta bëjë këtë për të mirën e partisë së vet, familjes së vet dhe mbi të gjitha për të mirën e vetë që unë ia urj nga studioja e “Provokacija” nga thellësia e zemrës sime, shërim të shpejtë dhe të plotë. Mirëpo, deri atëherë do të ishte mirë që ai të jepte dorëheqjen sepse e gjitha kjo që po ndodh përveç të tjerash është pak groteske dhe qesharake. Është qesharake të shohësh një lider politik që vjen vërdallë, stërmundohet dhe torturohet, vjen vërdallë nëpër rrugë për të bërë disa negociata që fare mirë mund t’i bënte dikush tjetër.

Përsëris edhe njëherë, shërim të shpejtë dhe të plotë zotit Isa Mustafa. Ky ishte monologum im për sonte. /abcnews.al

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!