Me dylbi të forcave speciale dhe mbajtëse të posaçme, ky është kallashnikovi i modifikuar i Nuredin Dumanit

schedule14:52 - 30 Mars, 2022

schedule 14:52 - 30 Mars, 2022

RENEA arrestoi mbrëme të shumë kërkuarin Nuredin Dumani në një apartament në katin e katërt të një pallati në lagjen “Apollonia” në Fier. Dumani u arrestua pas një telefonate në polici për një person të plagosur që ishte mjekuar në spitalin e Fierit, ndërsa blutë bënë menjëherë lidhje se për kë mund të bëhej fjalë duke ditur se pak orë më parë kishte ndodhur një shkëmbim zjarri mes dy makinave në ecje në Papër të Elbasanit.

Lexo edhe: VIDEO/ Bashkëjetonte me Nuredin Dumanin në Fier, momenti i shoqërimit të vajzës nga Kosova

Pas marrjes së masave dhe futjes në “lojë” të RENEA-s, policia arriti të arrestojë Nuredin Dumanin pa asnjë të shtënë, ndërkohë që objektivi kishte marrë një plumb në shpinë. I shtrirë teksa i venë prangat, Dumani nuk bëri asnjë lëvizje, ndërkohë që gjatë kontrollit në banesë, policia i gjeti atij një automatik tip “kallashnikov” të modifikuar, raporton abcnews.al.

VIDEO nga pallati ku fshihej prej një jave Nuredin Dumani, i rrethuar nga policët. Banorët: Mbrëmë u tmerruan

Automatiku ka të prerë pjesën e pasme të tij si edhe një pjesë të tytës me qëllim shkurtimin e armës dhe fshehjen e saj sa më lehtë poshtë veshjeve, ndërkohë që ajo ruan forcën goditëse dhe rezistencën, ndryshe nga armët e tjera më të reja.

Por, ajo që vihet më shumë re te automatiku që iu kap Nuredin Dumanit janë ndryshimet në pjesën e shënjestrës dhe mbajtjes së tij. Siç duket edhe nga fotoja, Dumani i ka hequr tytën, por i ka vendosur një dylbi që përdoret për armët e forcave speciale. Po ashtu, në pjesën mbajtëse, ku zakonisht automatikët e këtij lloji e kanë në përbërje druri, ai i ka vendosur një material plastik dhe një kapëse për të shmangur djegien e dorës në rastet kur automatiku do të gjuante më tepër se një karikator.

Lexo edhe: Kush janë 3 “ushtarët” e Nuredin Dumanit, misioni që kishin mbrëmjen e djeshme, telefonata shkatërroi planin

Nuredin Dumani akuzohet nga prokuroria dhe policia për të paktën shtatë vrasje në Durrës dhe Elbasan, megjithatë nuk dihet ende nëse ato janë bërë apo jo me këtë armë të modifikuar. Do të duhet që në ditët në vijim, ekspertiza të bëjë këqyrjen e armës për të zbuluar edhe se në cilat ngjarje është përdorur.

Kush është Nuredin Dumani

Nuredin Dumani është një nga personazhet më të rrezikshëm në Shqipëri, pasi akuzohej si vrasës serial, pasi ishte i implikuar në të paktën 7 vrasje.

Ndaj Dumanit më herët Prokuroria ka lëshuar dy urdhër-arreste dhe ka në duar prova të mjaftueshme për ta implikuar si ekzekutor në të paktën shtatë vrasje. Nuredin Dumani ka qenë krahu i djathtë i të shumëkërkuarit tjetër Talo  Çela, i cili edhe ky është shpallur në kërkim  nga policia, pasi akuzohet për një sërë vrasjesh. Dumani më herët ka qenë i akuzuar për prostitucion, por prej vitit 2022, ndaj tij rezultojnë edhe akuzat e vrasjes.

Akuzat

Duman së bashku me Çelën në vitin 2020 ekzekutuan vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia tek parku i tregut të makinave në Durrësit, aty ku kishin edhe një biznes të tyre.

Ishin Altin Ndoçi dhe Klevis Alla ata që dëshmuan para policisë se kush ishin autorët e vrasjes së dy vëllezërve në Durrës, duke nxjerrë zbuluar Talo Çelën dhe Nuredin Dumanin.

Në atë kohë Altin Ndoçi dhe Klevis Alla ishin caktuar të ruanin dy vëllezërit Haxhia, të cuilët më pas u ekzekutuan nga Dumani dhe Çela.

Ndërkohë që më herët Dumani dhe Çela ekzekutuan Anxhelo Avdias dhe Dorjan Shkozës, ishin tabulatet telefonike ato që zbuluan krimin.

Ndërkohë, Çela ishte shpallur në kërkim për grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas, pasi akuzohej se në servisin e tij, kishte ndihmuar autorët që të modifikonin furgonin me mbishkrimin ‘Hetimi Tatimor’, në mënyrë që askush të mos dyshonte tek ata.

Modifikimi i mjeteve ishte një praktikë e njohur për Çelën. Të njëjtën gjë, i shumëkërkuari që ka kthyer pas disa herë grupet e forcave RENEA kishte praktikuar edhe në serviset e katër viktimave. Nuk dihet nëse Shkoza dhe Avdiaj kishin lidhje me grabitjen e Rinasit, por servisi i tyre ishte përdorur për ç’montim mjetesh nga Çela dhe bashkëpunëtorët e tij.

Pavarësisht shpalljes në kërkim, Talo Çela dhe Nuredin Dumani, nuk reshtën. Fshehur skutave dhe me plane shumë të mirëorganizuara, të dy nuk e ndalën aktivitetin e tyre.

Në korrik të vitit 2020-të Dumani do të përfshihej në një tjetër krim, këtë herë në rolin e shoferit.

Dumani do të ekzekutonte dhe Emiljano Ramazani, babain e 4 fëmijëve të njohur me emrin “Ili”

Bashkë me Çelën, të dy i ranë rrotull vendit të krimit katër herë, si për të provuar dhe njëherë adrenalinën përballë autoriteteve, por pavarësisht postoblloqeve të ngritura, askush s’i pikasi.

Pas krimit Kapllani ka vendosur armën në servisin që është në pronësi të Albert dhe Seit Manahasës në qytetin e Peqinit, për t’i fajësuar ata për këtë ngjarje. Të dy u vunë në pranga bashkë me katër persona të tjerë, pas gjetjes së armës. Kreshnik dhe Ymer Manahasa, Artur Tosku si dhe Bujar Dervishi u liruan pasi ndaj tyre nuk u gjetën prova. Ndërsa Albert dhe Seit Manahasa janë në burg.

Ramazani kishte njohje me Talo Çelën, por ‘era’ e parave të Rinasit, ishte futur edhe mes tyre. Dumani, i kënaqur që eliminoi dhe tjetër ‘përfitues’ u nis të fshihej bashkë me Kapllanin. Të dy bashkë, janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj të Rrogozhinës dhe njerëzit që i njihnin i identifikonin me njëri-tjetrin. Por dhe kjo miqësi, do të thyhej, e sërish për shkaqe parash.

Por në 15 shtator të vitit 2020-të do të fillonte dhe krisja e madhe e grupit, shkak ishin paratë e vjedhura të Rinasit.

Më 15 shtator u vra dhe Klevis Kapllani, vetëm 200 metra larg banesës së tij, pak orë pasi kishte dalë të pinte disa birra me shokët. Edhe për këtë ngjarje, u akuzua dhe u shpall në kërkim Nuredin Dumani. Këtij të fundit, policia i zuri edhe pritë me shpresën se do të paraqitej në funeralin e mikut që vrau, por 37-vjeçari nga Dibra që u kishte shpëtuar kaq shumë herë duarve të bluve, nuk e hëngri këtë karrem.

Ai gjeti strehë dhe nuk doli, deri në goditjen e radhës. Dumani tashmë e kishte shtrënguar rrethin mjaftueshëm, dhe i vetmi mik që i kishte mbetur pa goditur ishte Talo Çela.

Këtë të fundit, në pamundësi për ta takuar askush, Dumani u hakmor tek i vëllai, duke vrarë Bujar Çelën në 17 shtator, teksa ky i fundit punonte si taksist në të zezë2.

Në këtë vrasje Dumani nuk ishte i vetëm. Ai ishte vetë i tretë dhe rrobat që mbante veshur, e kanë nxjerrë zbuluar nga kamerat e lokalit, në verandën e të cilit, eliminoi edhe të vëllanë e bashkëpunëtorit, me të cilin kishte bërë një rrugë të gjatë krimesh. /abcnews.al