Me djalin e sëmurë, familja Laçi kërkon ndihmë

schedule17:43 - 17 Janar, 2021

schedule 17:43 - 17 Janar, 2021

Ndjehet i pashpresë se nuk ka asnjë mundësi t’u ofrojë kushtet më minimale katër të fëmijëve të tij.  Familja e Shkëlqim Laçit ne Borizanë të Krujës po kalon ditë të vështira.

Djali i familjes, Olsi është ai që po vuan dramën më të madhe.  12-vjeçari ka vite që nuk mundet të ecë. Mjekët i kanë thënë se djali mund të ecë sërish, por operacioni i tij kushton dhe nuk mund të bëhet në Shqipëri.

“Marrim shumë ilaçe. Nuk e përballojmë dot operacionin e djalit dhe s’mund të bëhet në vendin tonë. Jashtë duhen para shumë”, thotë Shkëlqimi.

Edhe e motra lutet për të vëllain. “Unë kërkoj që të na ndihmojmë institucionet shtetërore. Nuk kemi asnjë të ardhur”, thotë ajo.

Mundësi për ti ofruar një jetë të mirë fëmijëve nuk ka.

“Unë punova dy muaj e gjysmë në Thumanë, ndërtuam shkollën dhe tani jam i papunë”, thotë Shkëlqimi.

Familja me 6 anëtare jeton në një magazinë të vogël me dy dhoma, pasi shtëpia e tyre u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit.  /abcnews.al