Me CV të zbrazura, kush janë dy “anonimet” që Hajdari propozon në krye të komisioneve

schedule12:52 - 8 Mars, 2020

schedule 12:52 - 8 Mars, 2020

Në tetor Rudina Hajdari u kërcënua nga deputetët e saj se do ta shkarkonin si kryetare grupi, pasi merrte vetë të gjitha privilegjet që i takonin grupimit opozitar.

Prej tensioneve disa mujore, Hajdari vendosi të bëjë disa ndryshime, për të kënaqur rebelët. Ajo hoqi dorë nga drejtimi i Komisionit të Integrimit dhe i kërkoi Kuvendit që këtë komision ta drejtojë deputeti demokrat Halit Valteri.

Njëkohësisht propozoi që drejtues i Komisionit të Medias dhe Edukimit, të jetë Halil Jakimi.

Por cfarë eksperience të mëparshme kanë këta persona? Të dy janë bërë deputetë pasi opozita dogji mandatet.

Halit Valteri synon të drejtojë Komisionin e Integrimit, i cili, përpara Hajdarit është drejtuar nga Genc Pollo apo Majlinda Bregu. CV e tij është thuajse e zbrazët. Ai ka shënuar me shkrim dore se ka kryer arsimin e lartë, por pa sqaruar profilin, ndërsa tek eksperienca në punë, vetëm ka thënë se ka qenë administrator në sektorin privat, por edhe këtu nuk ka detaje për kohëzgjatjen e këtij angazhimi apo sektorin në të cilin ka vepruar.

Halit Valteri nuk ka harruar të shënojë se ka qenë kryetar i forumit rinor demokrat në njësinë bashkiake nr 7 në Tiranë. Nga ky përshkrim i jetës së tij, Valteri nuk ka asnjë pikëprerje as në arsimim e as në punë me fushën e integrimit apo marrëdhënieve ndërkombëtare.

Situata nuk është ndryshe as për kandidatit për kryetar të Komisionit të Edukimit dhe Medias, Halil Jakimi. Deputeti i Dibrës, ka deklaruar një arsim të lartë por pa dhënë detaje, si dhe ka shënuar se ka qenë veprimtar i PD-së.

Eksperiencat e tij në punë kanë qenë si këshilltar bashkiak në Bulqizë, drejtues i zyrës së ndihmës ekonomike në një ish komunë, si dhe oficer kredie për pak kohë në një fondacion.

As Jakimi, nuk ka ndonjë kualifikim as në fushën e Arsimit, as në të Medias ku dëshiron të drejtojë punën parlamentare.

Këto kërkesa të Hajdarit do të shqyrtohen të hënën në Konferencën e Kryetarëve, dhe vendimet do të merren në seancën e ardhshme parlamentare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!