Mbyllja e klubeve të natës, Bino për Abc News: Pse u vendos ndalimi i muzikës pas orës 20:00

schedule18:22 - 20 Korrik, 2020

schedule 18:22 - 20 Korrik, 2020

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka njoftuar më herët gjatë ditës se, me vendim të qeverisë, ndalohet hapja e klubeve të natës diskove, bareve dhe çdo shërbimi tjetër në mjedise të mbyllura.

Veç kësaj ndalohet muzika pas orës 20:00 në të gjitha mjediset të shërbimeve çfarëdo lloji.

Për të treguar më shumë rreth arsyeve që qëndrojnë pas këtij vendimi, për Abc News foli, Silva Bino, shefe e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Bino sqaroi se masat e marra së fundi janë që të shmangen në mënyrë maksimale grumbullimet, pasi siç u shpreh ajo, jemi në një situatë jo fort të favorshme sa i përket krizës së koronavirusit.

E pyetur se çfarë ndikimi ka ndalimi i muzikës pas orës 20.00 të darkës, Bino shpjegoi se si shembull janë marrë edhe eksperiencat e vendeve të tjera, që mund të kenë ndaluar konsumimin e alkoolit, apo mund të kenë vendosur kufizime jo të drejtpërdrejta me grumbullimet, por që shkaktojnë grumbullime. Pra edhe ndalimi i muzikës është po ashtu, një mënyrë për të evituar çdo grumbullim të mundshëm të njerëzve.

Lexo edhe: Vatra infeksioni, Manastirliu: Të mbyllen klubet e natës, ndalohet muzika pas orës 20:00

Bino u shpreh: “Disa ekspertë, duke parë eksperiencën e shumë vendeve, ndalojnë të gjitha ato që bëhen sebep i grumbullimit të njerëzve. Këto janë për të penguar grumbullimin e njerëzve. Grumbullimi çon në shtimin e rasteve, edhe pastaj me pasojë vdekjen. Kjo mund të mos jetë për të rinjtë, por është për ata që infektojnë të rinjtë.”

Po ashtu, Bino vuri në dukje një lajm të mirë ndërsa theksoi se është vënë re një ndërgjegjësim mes qytetarëve të cilët kanë nisur t’i mbajnë maskat në ambientet ku kërkohet kjo masë.

Silva Bino: “Ka pasur një ndërgjegjësim, ka rritje të përgjegjshmërisë për mbajtjen e maskave. Edhe për distancimin social….Në ambiente të tilla kemi konsum më të lartë alkooli, kemi muzikë. Grumbullimi është një element që na dëmton në luftën kundër koronavirusit.” 

Sa i përket pishinave, Bino u shpreh se për to nuk ka ende një vendim ndërsa shtoi se shkak për mos hapjen e tyre janë kushtet higjieno-sanitare dhe distanca që nuk mund të mbahet në këto ambiente. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!