“Mbylli sytë” përpara kontrabandës, vihet në hetim doganieri në Han të Hotit

schedule11:06 - 21 Janar, 2022

schedule 11:06 - 21 Janar, 2022

Tre persona, mes tyre një doganier janë proceduar penalisht në gjendje të lirë një rast kontrabande në doganën e Hanit të Hotit në veri të vendit. Nga operacioni janë sekuestruar mallra kontrabandë dhe një armë gjahu. Personat nën hetim janë; R. Sh., 59 vjeç, I. Rr., 48 vjeç dhe D. M., 28 vjeç (me detyrë doganier), banues në Shkodër.

Sipas policisë R. Sh. është konstatuar në Han të Hotit me disa mallra dhe produkte të cilat i ka kaluar pa i deklaruar në organet doganore. Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi u gjet një armë gjahu pa leje.

Më pas është ushtruar kontroll në njërin prej subjekteve me administrator shtetasin I. Rr., të cilin dyshohet se R. Sh. e furnizonte me produkte kontrabandë, ku janë gjetur disa mallra dhe produkte të ndryshme të dyshuara kontrabandë.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, D. M., me detyrë doganier, pasi dyshohet se ka favorizuar R. Sh., në kohë të ndryshme, për kryerjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Shkodër, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë“, “Fshehja e të ardhurave“ dhe “Shpërdorim detyre”.

/ Abcnews.al