Mbyllet votimi në Greqi, Exit Poll: Demokracia e Re, fituese

schedule19:00 - 7 Korrik, 2019

schedule 19:00 - 7 Korrik, 2019

Pas mbylljes së qendrave të votimit në Greqi publikohen dhe rezultatet e sondazheve të para. Demokracia e Re e drejtuar nga Qirjakos Mitcotaqis pritet të fitojë 38 – 42% të votave. SYRIZA e Aleksis Ciprasit  26,5 – 30,5%,  Lëvizja për Ndryshim, Pasoku, pritet të marrë 6 – 8%  të votave, Komunistët 5 – 7%,  Agimi i Artë: 2,8 – 4,8% dhe partia Zgjidhja Greke e ish-ministrit Janis Varufakis: 2,5 – 4,5%.

Në parlamentin me 300 deputetë të Greqisë, Demokracia e Re përllogaritet që të marrë në mes 155 dhe 167 vendeve, SYRIZA nga 77-82 vende, Pasoku 19-22 deputetë dhe partia komuniste 16-19 vende ne kuvend. Në pikëpyetje është hyrja në kuvend e Agimit të Artë dhe e Partisë Zgjidhje Greke, të cilat sipas exitpolleve mund të marrin 13 deri në asnjë deputet.

Demokracia e Re pritet që të fitojë shumicën e vendeve. Sondazhet e para tregojnë se SYRIZA humbet të paktën 6% të votave në krahasim me rezultatin e zgjedhjeve të shtatorit të vitit 2015. Duke siguruar rreth 40% të votave dhe 155-167 vende në parlament, fitorja e Demokracisë së Re pritet të jetë vendimtare edhe përsa i përket dhënies fund të një epokë koalicionesh që datojnë që nga 2012 dhe karakterizuan katër zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Greqi.

Të drejtën për ushtrimin e votës e patën rreth 10 milion grekë, por sipas të dhënave të para pjesëmarrja ka qenë e ulët dhe pjesa dërmuese bojkotuan votimet./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!