Pakti për t’u ulur në të njëjtën tryezë me maxhorancën për demokratët nuk shihet si një “armëpushim”. Në takimin që zhvilloi me aleatët, ish-deputetët dhe kryetarët e degëve në rrethe, Lulzim Basha nuk përjashtoi edhe mundësinë që nga shkurti demokratet t’u rikthehen protestave kombëtare. Nderkohe sonte jane zbardhur emrat e Këshillit Politik, organ që do të mandatojë neser 4 përfaqesuesit që do miratojnë Reformën Zgjedhore.
Angazhimi për të realizuar bashkë me maxhorancën reformën zgjedhore, për Lulzim Bashën është një fitore për opozitën. Në selinë blu, kryedemokrati mblodhi pasditen e të mërkurës, Kolegjin e Kryetarëve, ish-deputetët e grupit parlamentar, kryesinë dhe në fund edhe aleatët e tij opozitarë.
Në dakordësi me përfaqësuesit e koalicionit opozitar, Lulzim Basha përcaktoi edhe emrat me të cilët do të përfaqësohet në mbledhjen e Këshillit Politik që do të mbahet të enjten në orën 17:00 me Oerd Bylykbashin, Petrit Vasilin, Mesila Dodën, Fatmir Mediun dhe Vangjel Dulen.
Në dokumentin e miratuar në tryezën e para të përfaqësuesve politikë të mazhorancës dhe opozitës, përcaktohet se do të jetë pikërisht ky Këshill që do të mandatojë politikisht përfaqësuesit që do të çojnë përpara Reformën Zgjedhore.
Por krahas angazhimit për të miratuar një reformë të re zgjedhore, opozita nuk do të ndërpresë aksionin e saj për të përmbushur qëllimin për të çuar vendin drejtë zgjedhjeve të parakohshme. Gjatë mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve, Lulzim Basha dhe kryetarët e degëve diskutuan mbi organizimin e një proteste në muajin shkurt.
EMRAT E ANETAREVE TE TRYEZES POLITIKE
Opozita e Bashkuar, përfaqësohet nga:
OERD BYLYKBASHI
PETRIT VASILI
MESILA DODA
FATMIR MEDIU
VANGJEL DULE
Ndërkohë abcnews.al ka siguruar edhe emrat e anëtarëve të mazhorancës në këtë tryezë si edhe emrat e përfaqësuesve të opozitës parlamentare.
Bashkëdrejtuesit e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore:
DAMIAN GJIKNURI
RUDINA HAJDARI
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste:
ERVIN BUSHATI
Grupi Parlamentar Demokrat:
MYSLYM MURRIZI
Grupi parlamentar i pavarur:
NIMET MUSAI
/abcnews.al