Belinda Balluku do qëndrojë në detyrë, pavarësisht se pezullimi i saj u rikthye nga vendimi kontravers i Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri i tha deputetëve të shumicës që do ndryshojnë kodin penal që të pamundesojë pezullimin e atyre që mandatohen në detyrë nga Presidenti i Republikës.Deri në ndryshimin e kodit penal, kërkesa tjetër e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeminstres, do t’i duhet të presë.
Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën “X”, për mosvendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila riktheu pezullimin e zëvendëskryeministres dhe njëherësh ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Rama bëri publike tre konkluzionet që u vendosën nga mbledhja e Grupit Parlamentar lidhur me këtë çështje.
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :
1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.
Një shtesë nga ana ime:
SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen./abcnews.al


