Shkëlqim Miri, gjyqtari i pezulluar i Apelit të Tiranës, i arrestuar për akuzën e “korrupsionit” do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda refuzoi të hënën kërkesën e tij për lirim nga qelia duke lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë për të në 12 nëntor.
I dyshuari Miri nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Avokati i tij, Ardian Visha, i bëri me dije treshes gjykuese se klienti ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Burgjeve që prej datës 24 të këtij muaji. Gjyqtari i pezulluar është diagonstikuar me herët me një tumor dhe qëndrimi në qeli i ka rënduar gjendjen shëndetësore.
Përmes ankimit Visha kërkoi zbutje të masës së sigurisë duke argumentuar se Shkalla e Parë kishte gabuar kur izoloi në paraburgim gjyqtarin. Avokati e vlerësoi si të pabazuar në prova rreziku i ikjes së gjyqtarit dhe po ashtu edhe akuzën e ngritur kundër tij.
Nga krahu tjetër i sallës së gjyqit, prokurori i Apelit pretendoi se nuk ndryshuar asnjë kusht ligjor, që do të sillte nevojën e ndryshimit të masës së sigurisë.
Gjyqtari Shkelqim Miri u arrestua në 10 nëntor 2017. Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se ai ka marrë një rryshfet prej 30 mijë euro në këmbim të një vendimi të favorshëm ndaj Gentian Dodës, i dënuar nga Gjykata e Matit për ngjarje të vitit 1997. Nga kontrolli i kryer në banesën e gjyqtarit, u gjetën dhe sekuestruan 30 milionë lekë të rinj. Në Shkallën e Parë gjyqtari mohoi akuzën. Për shumën e parave ai pretendoi se ishin të një të afërmi të tij./abcnews.al
https://youtu.be/3qLqIFDUXgg