Dikush duhet të zëvendësojë Messin dhe Ronaldon në vitet e ardhshme dhe në këto momente janë disa talente të rinj, që kanë hedhur kandidaturën për të qëndruar në majën e futbollit për këtë dekadë, që sapo ka nisur.
Mbappe dhe Haaland janë dyshja, që për momentin premtojnë më shumë. Francezi “shkërmoqi” Barcelonën të martën me tre gola dhe tregoi se është rritur dhe di të bëjë mirë edhe në ndeshje të mëdha.
Ndërkohë norvegjezi dje përmbysi i vetëm Sevillan, duke shënuar dy gola dhe dhuruar një asist, në fitoren 2-3 ndaj Sevillas. Pas ndeshjes Haaland foli për mediet dhe u shpreh se u motivua nga trigolëshi i Mbappe për të dhënë maksimumin e tij ndaj andaluzëve.
“Kur pashë Mbappe që shënoi një trigolësh ndaj Barcelonës, kisha më shumë motivim për të bërë mirë. Kështu që edhe Mbappe ka merita që unë arrita të shënoj një dygolësh”, u shpreh norvegjezi. /abcnews.al