Plas te Franca, pak ditë para EURO 2020. Olivier Giroud është ankuar pas miqësores së të martës kundër Bullgarisë për faktin se nuk i pasojnë.
Në fakt e ka pasur më shumë me Kylian Mbappe. Ylli i PSG është tërbuar nga deklaratat e dhëna nga lojtari i Chelsea dhe sipas asaj që raporton “L’Equipe” ka dashur të dalë në konferencë për shtyp.
Sikurse kuptohet në kombëtaren e Francës fryma nuk është e duhura. Trajneri Didier Deschamps është përfshirë në gjithë këtë mesele dhe po tenton ta rregullojë para ndeshjeve, që të mos ndikojë në rezultatet e kampionëve të botës.
DEBATI – Giroud në të shkuarën ka pasur përplasje edhe me Karim Benzema, i cili është rikthyer në kombëtare. Dy sulmuesit u ngacmuan mes tyre përmes deklaratave.
Sulmuesi i Real Madrid ishte ai që ngacmoi i pari: “Kush është më i fortë mes meje dhe Giroud? Do të përgjigjem njëherë e përgjithmonë dhe do flas shkurt: mos ta ngatërrojmë Formula 1 me Kart. Po tregohem i sjellshëm madje. Nuk do të flas më për të, di të them që unë jam Formula 1”.
Futbollisti i Chelsea më pas reagoi përmes një deklarate të dhënë për “Befoot”: “Çfarë jam unë, një go-kart? Një kampion bote go-kart”. Ironi e sulmuesit, duke i kujtuar kolegut të tij që kishte fituar titullin kampion bote.
Benzema bëri edhe një tjetër sqarim më pas: “Disa njerëz u morën vetëm me atë pjesën rreth Giroud dhe Formula 1, por nuk e vunë re çfarë thashë unë për atë që ai i ka sjellë kombëtares franceze.
Ata u fokusuan vetëm te pjesa ku fola për Formula 1 dhe Kart, por është ajo që mendoj dhe e vërteta. Shikoni, nëse do të më pyesnin për Ronaldo fenomenin, atëherë ai do të ishte Formula 1 dhe unë Kart. Shkurt dhe thjeshtë”. /abcnews.al