Studiuesi i njohur arbëresh dhe anetari i nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Mateo Mandala, në një intervistë për ABC Neës thotë se reforma duhet të jetë rrënjësore. Fryma e bashkëpunimit mes akademikësh është rruga e vetme, për ta çuar para reformën në shkencë.
Anëtari i nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, arbëreshi Matteo Mandala është i mendimit se reforma duhet të jetë rrënjësore, në të mirë të kërkimit shkencor dhe mirëfunksionimit të institucioneve që e prodhojnë shkencën që në të vërtetë janë njerëzit e shkencës.
“Duhet me patjetër një reformë rrënjësore, por më përpara se të jetë në institucion duhet të jetë një reformë. Një revolucion kopernikan në kulturën e individëve. Duhet kuptuar që të jetposh në një botë aq të ndërlikuar dhe të përballesh me sfida të mëdha që vijnë nga bota duhet të jesh i përgatitur”, shprehet Mandala.
Debati është gjithnjë i mirë për Mandalanë, por ai thotë se të jesh kundër, do të thot që ti e ke një zgjidhje, në të kundërt je i pabesueshëm ndaj kauzave që ngre.
“Më para se të flasësh duhet të kesh përgjigjen, zgjidhjen gati sepse një nga mjeshtrit e mi që pata në universitetin e Pisa-s më tha një ditë dëgjo biri i mi, kur një problem quhet problem domethënë që ka një zgjidhje, kur problemi nuk ka zgjidhje, quhet tragjedi”, thotë ai.
Ndërkohë që fjalimin e kryeministrit Edi Rama e krahasoi me shungullimën e De Radës.
“Sepse angazhima e tij ka qenë si shungëllima e De Radës, që domethënë një tërmet që na ka dhënë mundësinë të kuptojmë që jemi në fund dhe shumë afër honit. Rreziku që të biem në hon, në ferr mund të jetë shmangur nëse tregojmë kurajon që të vetëreformohemi”, thekson albanologu i njohur.
Mendimi më i mirë sipas profesor Mandalas është ai i dalë nga grupi i punës i udhëhequr nga Skënder Gjinushi, por ai pranon se duhen parë edhe vërejtjet e akademikut Artan Fuga.
“Unë kam ndjekur grupin e punës të drejtuar nga Skënder Gjinushi. Dua të falenderoj dhe Artan fugën për punën e tij dhe theksoj që debatet që zhvillohen midis dy të shurdhër duhet të jenë të ballafquar në mënyrë demokratike, të hapur dhe duke i njohur tjetrit të drejtën e fjalës. Po duhet që të gjithë të jenë në gjendje të kuptojnë se ku e ka më të mirë tjetri dhe të gjejnë një kompromis”, shprehet Mandala.
Tkurrjes së elitave dhe mendimit shkencor në kohët moderne, Mandala i jep këtë shpjegim.
“Elita në shkencë krijohen me sakrificë, me flijime, me studime, me botime dhe me kërkime shkencore dhe kjo nuk varet vetëm nga intelektuali dhe studiuesi, varet dhe nga sistemi”, thekson ai.
Të jesh studiues nuk është e lehtë, albanologu e lidh me antropologjinë ballkanase.
Por me humor, ai rendit edhe tre harqe urash.
Megjithëse në shumë fusha ka xhelozi, si pjesë e pranueshme e qenies njerëzore, studiuesit e albanologjisë dinë të surprizojnë njëri-tjetrin, jo vetëm me buqeta lulesh, por edhe me botime dedikuar njëri-tjetrit. I tillë është dhe botimi dedikuar studiuesit Matteo Mandala dhe ky i fundit me herët i ka dedikuar një vepër studiuesit Shaban Sinani.
Nga ana tjetër, ai thotë se falë bashkëpunimit mes akademikëve dhe qeverisë do mund të përmirësohet edhe mundësia e përthithjes së fondeve nga Bashkimi Europian për kërkimin shkencor,pasi Shqipëria renditet në vendin e fundit në rajon./abcnews.al