Mashtrimi me vizat, prokuroria kërkon 18 vjet burg për nënë e bijë

schedule18:37 - 31 Tetor, 2017

schedule 18:37 - 31 Tetor, 2017

Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 18 vjet burg në total për Luli dhe Adeila Makashi, nënë e bijë, të akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda”. Sipas prokurorisë, përmes një shoqërie punësimi, ato kanë përfituar shuma që varionin nga 2 mijë deri në 10 mijë dollarë nga persona të ndryshëm duke u premtuar viza drejt Kanadasë apo Anglisë. Ndaj të pandehurve janë depozituar të paktën 225 kallëzime.

E para ishte ëndrra për punësim apo studim në Kanada, Angli apo Australi. Më tej bëhej një aplikim në shoqërinë e ndërmjetësimit e punësimit “Ande Lm” dhe pasi bëheshin disa pagesa përmes bangës, që varionin nga 2 mijë deri në 10 mijë dollarë, pritej për daljen e vizës. Shpresa rritej kur aplikantët takoheshin në hotelet “VIP” në kryeqytet me persona që prezantoheshin si avokatë kanadezë, që u shpjegonin procedurën e marrjes së vizave. Ndërsa koha kalonte, kërkuesit jo vetëm që nuk morën vizë, por as paratë e tyre mbrapsh.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, kjo ishte skema e mashtrimit e ngritur nga administratorja e “Ande Lm” Luli Makashi dhe vajza e saj Adeila duke dëmtuar të paktën 225 persona. Në përfundim të procesit gjyqësor në Gjykatën e Tiranës prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të Luli Makashit për akuzën e “mashtrimit” me pasoja të rënda dhe dënimin e saj me 10 vjet burg. Për të njëjtën akuzë, u kërkuar fajësi dhe 8 vite burg për të pandehurën Adeila, e cila ka patur detyrën e koordinimit dhe mbajtjes së lidhjes me partnerët e huaj, me të cilët pretendohej se kishin marrëveshje shërbimi. Në pretencë u kërkua fajësi edhe për personin juridik. “Shoqëria Ande Lm” dhe dënimin e saj me 5 milionë lekë. Bazuar në kallëzimet e të dëmtuarve, shumat e paguara prej tyre ishin në lekë, euro, apo dollarë.
Sipas prokurorisë, ky aktivitet ka vijuar nga viti 2014 deri në prill 2016 kur Makashi ka tentuar të shesë shoqërinë tek një person i tretë, me qëllim shmangien e detyrimeve.
Luli Makashi po gjykohet në masën e sigurisë “arrest në burg” ndërsa e bija në “arrest shtëpie”.

 

https://youtu.be/ssZ8BvQb5oA

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!