Masat për protestën e PD/ Bllokohen rrugët në Tiranë, 1000 policë në terren

schedule15:31 - 11 Korrik, 2024

schedule 15:31 - 11 Korrik, 2024

Policia e Tiranës, ka hartuar një plan, për sa I përket ruajtjes së rendit për protestën e thirrur nga opozita, të enjten në orën 20:00, përpara Kryeministrisë.

Mësohet se policia ka dhënë leje, për të protestuar nga ora 20:00 e mbremjës deri në mesnatë. Mbi 1 mijë forca policore, janë angazhuar, për të ruajtur institucioneve dhë për të shmangur incidentet në këtë tubim.

Në gatishmëri të pozicionuar në afërsi të Piramidës, do të jenë edhe disa grupe të forcave “Shqiponja” dhe Forcat e Sigursisë Kombëtare, por edhe autobotët me ujë.

Duke filluar nga në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, në disa prej rrugëve përreth Kryeministrisë. Konkretisht lëvizja do të bllokohet, në Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Policia ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë thirrje organizatorëve, dhe pjesëmarrësve në këtë tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve.

Mësohet një listë me emra të personave që kanë marrë pjesë në protesta të mëparshme para bashkisë së Tiranës ku janë përfshirë në akte dhune, u janë shpërndarë agjentëve të policisë për ti mbajtur nën monitorim. Ndërsa personat që do të konstatohen me shishe molotov, me sende të forta, apo të palejuara do të bëhet shoqërimi i menjëhershëm i tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!