Visar Duriqi nga Insajder, në një intervistë për ‘Ballkan Update’ me gazetaren Linda Karadaku, theksoi se masat e reja ndëshkuese nga ndërkombëtarët që mund të vijnë për shkak të lëvizjeve të Albin Kurtit, mund të prekin drejtpërdrejt qytetarët e vendit dhe kjo rrezikon edhe besimin tek votuesit.
Ai thotë se fakti që presidentja Vjosa Osmani po merr në takime të rëndësishme ndërkombëtare, tregon se Kurti nuk ndihet i sigurt sa i përket pozitës së tij si kryeministër. Ai thotë se nëse BE ndëshkon qytetarët duke pezulluar liberalizimin e vizave, ata do ta ndëshkojnë Kurtin me votë.
“Deklarata e BE është e qartë. Në varësi të sjelljes, masat mund të lehtësohen por edhe të ashpërsohen. Deri më tani ashpërsimi më i madh ka qenë që 500 milionë euro i ka humbur Kosova prej fondeve që duhej të merrte prej BE-së brenda vitit dhe kjo është një goditje e madhe për një ekonomi të shkatërruar si të Kosovës. Në anën tjetër, goditja që mund të vijë prej BE-së është ajo që do të prekë më direkt qytetarët.
Nëse qytetarët goditen si pasojë e veprimeve të qeverisë Kurti, ai do të humbte shumë përkrahje brenda korpusit të votuesve të tij. Rreziku i madh është që vendimi i radhës i BE-së do të prekë në mënyrë direkte qytetarët dhe kjo prek direkt votën e Albin Kurtit. Përfshirja e Vjosa Osmanit në forume më të larta ku normalisht duhet të ishte Kurti si udhëheqës të dialogut e bën atë pak a shumë jo të sigurtë sa i përket pozitës së tij si kryeministër. Vjosa Osmani është për momentin njëra prej udhëheqësve që ndërkombëtarët e duan më shumë për të folur.“, u shpreh Duriqi./abcnews.al