Masakra e tetorit në Izrael, SHBA ngre akuza penale ndaj liderëve të Hamasit

schedule08:19 - 4 Shtator, 2024

schedule 08:19 - 4 Shtator, 2024

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara ka ngritur akuza kriminale ndaj kreut të Hamasit, Yahya Sinwar dhe militantëve të tjerë në lidhje me vrasjet e 7 tetorit 2023 në Izrael.

Në dokumentet e dorëzuara në një gjykatë federale në qytetin e Nju Jorkut përfshihen akuzat për komplot për të ofruar mbështetje materiale për një organizatë të huaj terroriste, që rezultoi në viktima.

Akuzat vijnë ndërsa Shtëpia e Bardhë deklaron se po punon me Egjiptin dhe Katarin për një propozim të ri për të arritur një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për t’i dhënë fund luftës gati 11-mujore në Rripin e Gazës. Propozimi përfshin lirimin e pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi.

Zëdhënësi i sigurisë kombëtare John Kirby tha se ekzekutimet e fundit të gjashtë pengjeve nga Hamasi theksojnë nevojën për veprime urgjente në bisedime.

Yahya Sinwar u emërua udhëheqës i përgjithshëm i Hamasit pas vrasjes së drejtuesit të mëparshëm të kësaj organizate, Ismail Haniyeh në Iran dhe është në krye të listës së personave më të kërkuar të Izraelit.

Ai besohet se ka kaluar pjesën më të madhe të 10 muajve të fundit duke jetuar në tunele në Rripin e Gazës dhe nuk është e qartë se sa kontakt ka ai me botën e jashtme.

Në mesin e udhëheqësve të tjerë të Hamasit të përfshirë në këtë aktakuzë janë edhe Haniyeh, nënkryetari i krahut të armatosur të Hamasit në Gaza, Marwan Issa, i cili ndihmoi në planifikimin e sulmit të vitit të kaluar, ndihmësi i ish-udhëheqësit Haniyeh, Khaled Mashaal dhe ish-udhëheqësit i grupit Mohammed al-Masri dhe Ali Baraka.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!