Masakër në Mat, vriten 3 punonjës të bashkisë

schedule14:16 - 11 Tetor, 2018

schedule 14:16 - 11 Tetor, 2018

Një masakër me tre viktima dhe një të plagosur ka ndodhur në një lokal të Matit ku po drekonin disa punonjës të bashkisë të cilët ishin duke punuar për hapjen e një rruge të re në fshatin Shëlli. Sipas policisë, një banor i fshatit ka qëlluar me automatik ndaj tyre pas një konflikti që pati më herët për shkak të rrugës ku po kryheshin punimet.

Për disa metra rrugë, në një fshat të Matit ndodhi një masakër. Një banor ekzekutoi për vdekje tre persona dhe plagosi një tjetër në një lokal. Dy nga viktimat dhe i plagosuri po punonin për shtrimin e një rruge në këtë zonë, kurse viktima e tretë ishte klient i rastësishëm.

ABC News ka mësuar se autori Kujtim Koxha ka shkuar në orën 14:00 në lokal për të biseduar me punonjësit e bashkisë. Aty kishte edhe banorë të zonës. Fillimishti 54 vjeçari ka patur një sherr verbal me një nga punëtorët dhe i ka kërkuar që rruga të shtrohet edhe 20 metra më shumë deri tek banesa e tij.

Më pas Koxha është konfrontuar fizikisht me punonjësit e bashkisë dhe ka lënë menjëherë lokalin. Nga të njëjtat burime thuhet se ai iu drejtua banesës për të marrë automatikun dhe u rikthye në lokal për të qëlluar në drejtim të punëtorëve të bashkisë. Nga të shtënat mbetën të plagosur 4 persona.

36-vjeçari Mentor Hoxha ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Burrelit. Erzen Aliaj 49 vjeç dhe Hamit Buçi, te cilët u plagosën rëndë, ndërruan jetë në spitalin e Traumës në Tiranë. Ky i fundit ishte klient i rastësishëm në lokal.

Ndërsa i plagosuri tjetër Astrit Hani, po merr ndihmën mjekësore në spitalin e Burrelit dhe nuk paraqet rrezik për jetën. Autori, pas krimit ka hedhur automatikun në lokal dhe është larguar. Ai u rrethua nga forcat e policisë nën drejtimin e nëndrejtorit të policisë së Qarkut Dibër, Erzen Cera dhe u kap pas tre orësh.

54 vjeçari u arrestua 10 km larg vendngjarjes. Policia ka marrë në mbrojtje familjen e autorit për të parandaluar ndonjë hakmarrje të mundshme. Për ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i bashkisë Nezir Rizvani, i cili ka thënë se është telefonuar nga punonjësit e bashkisë menjëherë pës masakrës. Sipas tij, punëtorët i kanë thënë “na qëlluan me armë kur ishim duke ngrënë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!