Masa sigurie për çiftin Veliaj/ Burg për kryebashkiakun, arrest shtëpie për të shoqen

schedule14:18 - 10 Shkurt, 2025

schedule 14:18 - 10 Shkurt, 2025

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është arrestuar të hënën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Ndaj tij Gjykata e Posaçme ka caktuar në mungesë masën e arrestit në burg. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak edhe për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxe, për të cilën rëndojnë të njëjtat vepra penale, ajo e kurrupsionit dhe pastrimit të parave.

Veliaj u shoqërua nga punonjës të policisë së shtetit dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga Bashkia e Tiranës në drejtim të policisë, ku do të qëndrojë i izoluar derisa të dalë përballë gjykatës ku do të njihet me masën e sigurisë qe iu caktua në mungesë.

Masa arrest në burg është lëshuar edhe për një biznesmen emri i të cilit nuk bëhet ende i ditur, ndërsa për 5 të tjerë është vendosur masa e detyrimit për t’u paraqitur në prokurori.

Bëhet fjalë për biznesmenët që dyshohet se kanë përfituar tendera në mënyrë korruptive nga Bashkia e Tiranës mes të cilëve, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha. Masat janë caktuar për të njëjtën çështje për të cilët u vu në pranga kryebashkiaku Veliaj.

Ndërkohë emri i Fatmir Bektashit është i njohur për drejtësinë pasi ai po hetohet me të njëjtën masë edhe për  dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Hetimet ndaj Veliajt drejtohen nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado.

Ato janë ngritur mbi dyshimin se kryebashkiaku ka përfituar para në mënyrë të tërthortë përmes bizneseve të lidhura me familjarët e tij. Më herët Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar edhe telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe ka ushtruar kontroll në ambientet e disa bizneseve në pronësi të saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!