Martini: Teuta duhet të ishte në vend të dytë, te Frankfurt isha i pafat

schedule17:34 - 27 Mars, 2020

schedule 17:34 - 27 Mars, 2020

Edi Martini ka qenë një sulmues fantastik, teksa provoi të luante edhe në Bundesligë me Eintracht Frankfurt. Shkodrani sot mban postin e trajnerit të Teutës dhe prek disa tema gjatë prononcimit në emisionin “Fan Zone” në Supersport.

KARANTINA – “E vështirë të qëndroj në shtëpi, por mundohem ta mbaj veten me të mira. Luaj basketboll ose ping-pong në shtëpi. Objektivi i Teutës është Europa dhe shpresoj t’ia dalim deri në fund”.

EINTRACHT – “Ëndrrat që kisha te Vllaznia kur isha i vogël, po më realizoheshin që në fillim dhe kjo ndoshta ndikoi keq. Deri në ‘97 isha pjesë e Vllaznisë, pastaj më kërkoi Frankfurti. Kalova aty, por gjithçka është çështje fati. Nga Shqipëria shkova 3-4 muaj pa stërvitje, deri sa e kapa formën, pastaj u dëmtova, futbolli është i lidhur me fatin dhe nuk ke çfarë bën”.

TEUTA – “Çunat stërviten dy nga dy, siç ndodh në shumë vende të Europës. Është një metodë që po përdoret shumë. Nëpërmjet internetit unë i shikoj se çfarë ndodh. Dje unë shkova dhe i pashë nga afër. Jemi në një situatë të vështirë, ku nuk e dimë se kur do të nisë kampionati. Kryesorja është që çunat të mos humbin kondicionin fizik, pasi për taktikat do të punojmë më vonë”.

OBJEKTIVAT – “Jemi me objektiva dhe nuk do të më vinte mirë nëse kampionati do të mbyllej tani. Jemi në këtë pozitë për shkak të gabimeve tona. Mendoj se duhet të ishim në vendin e dytë dhe mendoj se në fund do arrijmë aty ku meritojmë. Me keq këtë moment e kalojnë portierët dhe sulmuesit. Objektivi im është që të dal kampion edhe si trajner”, tha Martini. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!