Tirana një hap larg rënies/ “Bardheblutë” humbin 0-1 në shtëpi me Teutën

schedule23:43 - 19 Prill, 2025

schedule 23:43 - 19 Prill, 2025

Një fatkeqësi në prag, dhe një lajm I madh. Tirana dhe Teuta janë dy nga ngjarjet kryesore të javës së parafundit të Superligës, pasi kryeqytetasit ndodhen në prag të rënies në Kategorinë e Parë, ndërsa durrsakët siguruan mbijetesën.

Kjo, pas duelit mes tyre në “Arenën Kombëtare”, fituar 1-0 nga ekipi bregdetas.

Mario Beshiraj siguroi pikët dhe elitën për miqtë, me golin e shënuar 10 minuta para fundit, në të 80-ën.

Dramë e vërtetë për 26 herë kampionët e vendit, pasi rekordmenëve për titull mund të mos u mjaftojë as fitorja javën e fundit ndaj Dinamos për të shpëtuar, pasi ka 36 pikë, po aq sa Laçi I fundit dhe dy më pak se Skënderbeu.

Nëse do të ndodhte tragjedia, kjo do të ishte hera e dytë që Tirana do të binte nga Superliga pas asaj në 2017.

Ndodhia tjetër tepër e rëndësishme e javës së 35-të është rokada në garën për një vend në plej ofin për titull mes Elbasanit dhe Partizanit.

Kjo, pasi skuadra elbasanase u ngjit në vendin e katërt, ndërsa të kuqtë zbritën në të pestin.

Ekipi I drejtuar nga trajneri Gvozdenovic barazoi 1-1 ndaj Vllaznisë në “Elbasan Arenë”.

Kapiteni Balaj kaloi në epërsi shkodranët në 47’, por vendasit nuk u dorëzuan dhe Amarildo Gjoni barazoi në 80’. Partizani, ndërkaq, nuk përballoi dot sfidën e Bylisit në Ballsh.

Mallakastriotët ia dolën me rrjetën nga Fabjan Përndrecaj në 67’ dhe aktualisht janë në vendin e 7-të, në zonën e shpëtimit, kurse të kuqtë kanë 50 pikë, po aq sa Elbasani, por me bilanc negativ në ndeshjet direkte.

Skënderbeu po ashtu mori pikë të rëndësishme në Rrogozhinë ndaj Egnatias kampione.

Barazimi 0-0 bën që korçarët të jenë në vend të 8-të, dhe për momentin janë në zonën e një finaleje të vogël për mbijetesë me një ekip të Kategorisë së Parë.

Ndërkaq, Laçi ka ende shpresë edhe pse është I fundit, pasi mundi 1-0 Dinamon.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!